Një ngjarje makabre ka tronditur Shkodrën mëngjesin e kësaj të premteje, kur një shtetase amerikane, Sandra Holley Saporito, 53 vjeç, u vra brenda banesës së saj nga bashkëshorti dhe bashkëjetuesi, Brandon Saporito. Krimi ndodhi në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një apartament me qira në zemër të qytetit, pak metra larg Pedonales.
Pamjet e siguruara nga Panorama.al kanë dokumentuar momentin pas ngjarjes, kur autori i dyshuar, Brandon Saporito, del nga banesa i vetëm, i veshur vetëm me të brendshme dhe i mbuluar me gjak. Në gjendje të rënduar psikologjike dhe dukshëm i lënduar, ai u shoqërua nga policia drejt ambulancës për ndihmë mjekësore. Nga hetimet paraprake, rezulton se ai ka pësuar plagë të lehta në duar, të shkaktuara me mjet prerës – të njëjtin mjet që dyshohet se ka përdorur për të ekzekutuar bashkëshorten.
Policia ka bërë të ditur se kur mbërriti në vendngjarje, gjeti trupin e pajetë të gruas dhe autorin ende brenda në banesë. Burimet zyrtare konfirmojnë se Saporito ndodhej në një gjendje të rëndë dehjeje dhe nuk kishte tentuar të largohej nga vendi i krimit.
Sipas njoftimit të policisë:
“Rreth orës 10:15, në rrugën ‘At Shtjefën Gjeçovi’, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës shtetasja amerikane, S. S. Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është në gjendje të dehur dhe ka dëmtime të lehta, në duar, me mjete prerëse.”
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal dhe ndër qytetarët e huaj që jetojnë në Shkodër. Fqinjët kanë deklaruar se nuk kishin dëgjuar ndonjëherë zhurma të pazakonta nga banesa e çiftit, ndërsa përshkruajnë mëngjesin fatal si një moment paniku dhe habie.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, ka nisur punën për të zbardhur në detaje motivet që çuan në këtë akt ekstrem. Deri tani, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për shkaqet e ngjarjes, por pista e një konflikti të çastit nën efektin e alkoolit mbetet kryesore.
Ndërkohë, pritet edhe reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë lidhur me rastin, si dhe bashkëpunimi me autoritetet shqiptare për vijimin e hetimeve dhe procedurave ligjore për shtetasin amerikan të ndaluar.