Skip to content

‘Cmendet’ Rama, kercenon qytetaret me burg per nje shkelje 2 mije lekeshe

Një deklaratë befasuese që ka ngritur nervat e qytetarëve shqiptarë u dha sot nga drejtori i Policisë Rrugore, Lorenc Proda, por pas saj qëndron qartazi “dora e hekurt” e qeverisë dhe e kryeministrit Edi Rama. Me një ton paralajmërues, Proda tha se parkimi i dyfishtë – një shkelje e zakonshme që deri tani ndëshkohej me një gjobë modeste – nuk do të tolerohet më. Madje, jo vetëm që nuk do të konsiderohet më si kundërvajtje administrative, por do të trajtohet si v-e-p-ë-r p-e-n-a-l-e, me pasoja që përfshijnë dënim me burg deri në tre vjet!

Po, e lexuat saktë. Në vend që të investohet për parkingje publike ose transport funksional, qeveria ka zgjedhur të kthejë qytetarët në “kriminelë me makinë”.

“Parkimi i dyfishtë nuk është më thjesht një ndalim i gabuar. Ai është një bllokim i qëllimshëm i rrugës, i lëvizjes së mjeteve dhe këmbësorëve. Është një cenim i dhunshëm i të drejtës për të lëvizur,” – deklaroi Proda në një dalje që duket më shumë si kërcënim shtetëror sesa si paralajmërim edukativ.

Sipas tij, çdo qytetar që parkon keq do të hetohet sipas nenit 293 të Kodit Penal, i cili deri dje rezervohej për bllokuesit e hekurudhave, avionëve apo porteve detare. Tashmë, një parkim 2-minutësh për të blerë bukë në lagje, mund të përfundojë me arrestim dhe gjyq penal.

Kërcënimi absurd: “Burg për makinat që pengojnë trotuarin”

Në një klimë të ngarkuar ku krimi i organizuar godet me eksploziv, ku krerë bandash kanë akses në modele në burg dhe ku korrupsioni qeveritar ka kaluar çdo cak, qeveria ka vendosur të ushtrojë “forcën e ligjit” mbi qytetarët e thjeshtë që parkojnë gabim.

Proda shkoi më tej, duke bërë moral me tone dramatike:

“Qyteti është për fëmijët, për ambulancat, për zjarrfikësit. Jo për ata që parkojnë ‘dy minuta’ në rrugë”.

Por ajo që nuk tha, është fakti që pjesa dërrmuese e qytetarëve parkon në mënyrë të dyfishtë sepse nuk ka asnjë hapësirë tjetër parkimi! Tirana është kthyer në një fushë ndërtimesh ku ndërtesat shumëkatëshe ndërtohen pa asnjë vend parkimi. Pra, shteti i ngre kurthet dhe pastaj të fut në burg.

A do të dënohet ndonjëherë ndonjë ndërtues që ka lënë lagjet pa parking? Jo. Por qytetari që parkon gabim? Po.

Ky është modeli “Rama”. Modeli i frikës, i kërcënimit me burg, i drejtësisë selektive.

Çfarë pritet të ndodhë tani?

Strukturat e Policisë Rrugore do të nisin hetime për çdo parkim të dyfishtë. Me kamera, me dronë dhe me patrulla, qytetarët do të survejohen si të ishin banditë. Parashikohen “aksione” në terren dhe madje edhe fushata për të “ndërgjegjësuar” qytetarët – me fjalë të tjera, për t’i frikësuar.

Reagimi publik? I zemëruar dhe i tronditur.

Të trajtosh parkimin si krim penal, në një vend ku zyrtarët vjedhin miliona euro pa asnjë pasojë, është kulmi i hipokrizisë shtetërore. Shqiptarëve po u kërcënohet liria për një shkelje që në çdo vend normal ndëshkohet me gjobë dhe paralajmërim.

Por në Shqipërinë e Edi Ramës, qytetari i thjeshtë është gjithmonë fajtor. Dhe më e keqja? Tani është edhe i dënueshëm me burg.

Published inShowbizz