Në një intervistë të zhvilluar së fundmi me gazetarin Ronaldo Sharka, opinionistja Neda Balluku foli hapur për personazhet televizivë, eksperiencën si opinioniste në “Big Brother VIP” dhe raportet që ka ndërtuar me ish-banorët pas daljes nga shtëpia.
E pyetur se me cilën nga Balina Bodinaku, Zhaklin Lekatari apo Ori Nebijaj do të donte të kalonte disa pushime të paharrueshme, përgjigjja e Neda-s ishte e prerë:
“Ori Nebijaj, sigurisht. Për mua, ajo është një njeri që jetën e bën në mënyrë elegante, modeste dhe pozitive. E njoh personalisht, ndaj do ta zgjidhja pa dyshim Orin.”
Në lidhje me rolin e saj në panelin e “Big Brother VIP”, ajo u shpreh me bindje:
“Po, mendoj se jam opinionistja më e ndershme me banorët dhe me publikun. Më transparentja.”
Por do ta ribënte sërish këtë rol? “Janë punët e Zotit dhe punët e Top-it,” u përgjigj me të qeshur, duke mos përjashtuar asgjë.
Nëse do të kthehej në edicionin e ri pa kolegun Arbër Hajdari në krah, Neda tha pa hezitim:
“Ronaldo Sharkën.”
Për banorët e këtij sezoni, ajo vlerësoi veçanërisht dy emra që po spikasin pas spektaklit:
“Gerta Gixhari dhe Loredana Brati kanë pasur një performancë shumë të mirë tek ‘Goca & Gra’. Është një emision unik në televizionin shqiptar dhe për mua është tregues i pjekurisë dhe profesionalizmit të tyre që u është besuar një panel kaq i rëndësishëm.”
Neda foli gjithashtu me ngrohtësi për disa ish-banorë me të cilët ruan kontakt:
“Jam shumë e lumtur për suksesin e Gjesti-t. Ka koncerte, ka një publik që e do shumë. Egli gjithashtu po rritet në muzikë dhe ndihet mirë me atë që bën. Kam një komunikim të vazhdueshëm me Laert Vasilin dhe G-Banin. Janë mendje shumë të zgjuara. Edhe pse kemi pasur përplasje në ‘Big Brother’, si profesionistë e si njerëz kanë fituar respektin tim.”
Një intervistë që tregoi anën njerëzore të opinionistes, larg debateve të studios, dhe një dëshmi se raportet që lindin në reality show mund të kthehen në miqësi të qëndrueshme jashtë kamerave.
