Xhemal Ruko, gjyshi i 7 fëmijëve të mitur dhe babai i Juelës – nënës që përballet sot me pasojat e një tragjedie familjare të papërshkrueshme – kërkon me dëshpërim ndihmë nga institucionet shtetërore dhe shoqëria. Ngjarja tronditëse e abuzimit të 12-vjeçares nga vetë babai i saj në fshatin Sheqishte të Fierit ka lënë pas një familje të shkatërruar dhe pa asnjë mbështetje reale.
“Fëmijët kanë mbetur jetim”, shprehet Ruko me zë të dridhur, duke iu referuar faktit që babai i tyre ndodhet pas hekurave, ndërsa nëna, Juela, është e pafuqishme të punojë. “Juela nuk ka mundësi të punojë. Më i vogli nga fëmijët është vetëm një vjeç.”
Ai thotë se ndihma prej 200 mijë lekësh nga bashkia, si dhe premtimi për mbulim të qirasë në një banesë që ende nuk është siguruar, janë të pamjaftueshme për të përballuar jetesën e përditshme të një nëne me 6 fëmijë të vegjël.
Pa kontakt me vajzën e abuzuar: “Nuk e dimë as si është”
Gjyshi rrëfen se nuk ka asnjë kontakt me mbesën 12-vjeçare të abuzuar, e cila aktualisht ndodhet në një qendër rehabilitimi në Tiranë. “Nuk isha në dijeni të situatës. Sikur ta kisha ditur, do kisha vepruar ndryshe,” thotë ai, ende i shokuar nga ajo çfarë ka ndodhur brenda familjes së tij.
Ndërkohë, vajza e tij, Juela Meta, endet çdo ditë nëpër rrugët e Fierit me 6 fëmijët e saj, shpesh të pangrënë dhe të pambuluar nga asnjë institucion social.
“Shërbimi social nuk na ka kontaktuar asnjëherë që nga dita e ngjarjes. Nuk ka ardhur njeri të na shohë, të na pyesë, të na ndihmojë,” tregoi Juela për gazetarët jashtë kamerave.
Ndihma e parë erdhi nga gazetarët dhe një biznes lokal
E ndërsa institucionet heshtin, janë gazetarët lokalë të Fierit ata që i kanë ardhur të parët në ndihmë familjes me pako ushqimore dhe ndihma të tjera të menjëhershme. Ndjeshmëria ndaj dramës ka prekur edhe një biznes lokal, i cili është solidarizuar me thirrjen për ndihmë.
Ruko i bën thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi, institucioneve, bizneseve, qytetarëve, të ndihmojnë në strehimin dhe mbështetjen e kësaj familjeje që po përballet me një dramë të shumëfishtë: traumat psikologjike, varfërinë ekstreme dhe mungesën e çdo strukture mbështetëse.
“Nuk kërkojmë shumë. Vetëm pak ushqim, një strehë dhe pak kujdes për fëmijët që nuk kanë faj për asgjë,” përfundon ai me sy të përlotur.
