Një ngjarje tragjike është regjistruar ditën e djeshme në kryeqytet, ku një 52-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në banesën e tij, gjatë përpjekjes për të çmontuar një bojler uji.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”, ku shtetasi B. H., 52 vjeç, ishte duke kryer punime për heqjen e bojlerit në banesën e shtetasit F. H. Gjatë procesit të çmontimit, pajisja është shkëputur nga vendi dhe ka rënë mbi kokën e viktimës, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për ta dërguar në spital dhe për t’i dhënë ndihmën mjekësore, 52-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë kryer veprimet e para procedurale në vendngjarje, ndërsa materialet hetimore janë referuar në Prokurori për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme ligjore të rastit. Policia po punon për të sqaruar të gjitha rrethanat e aksidentit që çoi në humbjen e jetës së shtetasit B. H.