Efektivët e Policisë së Shtetit do të marrin lekë për çdo vakt ushqimor të pashërbyer nga shteti. Kështu thuhet në vendimin e marrë dje nga Këshilli i Ministrave, duke hequr kështu kartat dedikuara që rimbursoheshin dhe mund të përdoreshin nga punonjësit e policisë për të blerë disa lloje të përcaktuara ushqimesh, në rrjete marketesh të përzgjedhura nga shteti. Në VKM thuhet se policët do të marrin “një vakt drekë”, kur kohëzgjatja e punës është 8 orë, ndërsa “tri vakte”, kur punonjësi është i angazhuar në gatishmëri, në shërbime për ruajtjen e rendit, sigurimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për përballimin e situatave emergjente dhe të fatkeqësive natyrore, aktivitete të ndryshme apo tubime, kur kohëzgjatja e punës është më shumë së koha normale e punës prej 8 orësh.
Kur trajtimi me ushqim nuk është i mundur të realizohet me ushqim të gatuar apo nëpërmjet shërbimit të shpërndarjes së ushqimit (catering), punonjësit e policisë do të marrin nëpërmjet bankës 500 lekë për normë ditore “një vakt drekë”, dhe 900 lekë për normë ditore “tri vakte”.
Vendimi i plotë
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË TRAJTIMIT ME USHQIM GJATË QËNDRIMIT NË PUNË TË PUNONJËSIT TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2, shkronja “c”, e 4, të nenit 104, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
Vendosi
Të drejtën e trajtimit me ushqim, pa pagesë, e përfitojnë:
a) punonjësit e Policisë e Shtetit:
me normën e ushqimit “një vakt drekë”, kur kohëzgjatja e punës është 8 (tetë) orë;
me normën e ushqimit “tri vakte”, kur punonjësi është i angazhuar në gatishmëri, në shërbime për ruajtjen e rendit, sigurimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për përballimin e situatave emergjente dhe të fatkeqësive natyrore, aktivitete të ndryshme apo tubime, kur kohëzgjatja e punës është më shumë së koha normale e punës prej 8 (tetë) orësh.
b) punonjësit e Qendrës së Edukimit Fizik dhe Sporteve Elitare, në Akademinë e Sigurisë, që trajtohen me normën e ushqimit “tri vakte”;
c) studentët dhe kursantët, që kryejnë trajnim të detyrueshëm sipas programit mësimor në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit:
me normën e ushqimit “një vakt drekë”, kur kohëzgjatja e trajnimit është 1 (një) ditë pune, 8 (tetë) orë;
me normën e ushqimit “tri vakte”, kur kohëzgjatja e trajnimit është më shumë së një ditë pune. Për ditën e parë të trajnimit, trajtimi me ushqim bëhet për vaktet “drekë” dhe “darkë”, ndërsa për ditën e fundit të trajnimit bëhet për vaktet “mëngjes” dhe “drekë”.
ç) edhe kategoritë e mëposhtme, që trajtohen me normën e ushqimit “tri vakte”, pa pagesë:
shtetasit e huaj, të cilët hyjnë ilegalisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilët u nënshtrohen procedurave verifikuese deri në sqarimin e pozitës së tyre;
shtetasit shqiptarë të kthyer nga vendet e tjera, deri në sqarimin e pozitës së tyre;
iii. shtetasit e ndaluar ose të arrestuar, të cilët u nënshtrohen procedurave verifikuese deri në sqarimin e pozitës së tyre, ose deri në transferimin e tyre në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Shërbimi i ushqimit realizohet me ushqim të gatuar në mensa, si dhe nëpërmjet shërbimit të gatimit e të shpërndarjes së ushqimit (catering), i cili u nënshtrohet të gjitha procedurave të prokurimit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Kur trajtimi me ushqim, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, nuk është i mundur të realizohet me ushqim të gatuar apo nëpërmjet shërbimit të shpërndarjes së ushqimit (catering), bëhet trajtimi financiar për ditët efektive të punës, sipas përcaktimeve të pikës 5 të këtij vendimi. Vlera e trajtimit financiar (në lekë) të ushqimit i transferohet punonjësit të policisë në llogarinë e tij bankare.
4. Normat e ushqimit ditore të k/kalorive për të gjitha kategoritë përfituese, sipas këtij vendimi, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Masa e kompensimit financiar për çdo normë të trajtimit me ushqim përcaktohet, si më poshtë vijon:
a) Normë ditore “një vakt drekë”, në vlerën 500 (pesëqind) lekë;
b) Normë ditore “tri vakte”, në vlerën 900 (nëntëqind) lekë.
Vlerat e kompensimit në lekë të normave ditore të ushqimit, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 5, të këtij vendimi, indeksohen çdo vit, sipas inflacionit të publikuar nga INSTAT-i.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, programi buxhetor “Policia e Shtetit”.
Vendimi nr.189, datë 15.3.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe kursantëve në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit, si dhe të shtetasve të ndaluar ose të arrestuar, deri në sqarimin e pozitës së tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare shtesë nga 1 janari 2026.
Pagat
Ndërkohë po dje qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme edhe strukturën dhe nivelin e pagave për nëpunësit dhe punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Ajo që bie në sy është fakti se për Drejtorin e kësaj drejtorie shtesa e pagës është 150 mijë lekë në muaj, ose 1.5 mln lekë të vjetra. Struktura e pagave përfshin nga niveli ‘specialist’ deri në ‘titullar institucioni’. Shtesat mujore variojnë nga 5 mijë lekë deri në 150 mijë lekë në muaj, sipas pozicioneve.
Vendimi i plotë
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
Vendosi
Miratimin e strukturës së pagës mujore për nëpunësit dhe punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
Për pozicionet e nëpunësve nga “specialist” deri në “titullar institucioni”, kategoritë e klasave, shtesa e nivelit të kualifikimit që shpërblen nivelin arsimor të kërkuar për pozicionin përkatës të punës, si dhe shtesa për vjetërsi në punë, në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Elementet përbërëse të pagës bruto mujore (paga për pozicion, shtesa për vjetërsi në punë dhe shtesa e nivelit të kualifikimit) për secilën klasë të përcaktuar në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe vlerat për secilin element janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore.
Përfitojnë shtesë për kushte pune nëpunësit, si më poshtë vijon:
a) Titullari i institucionit në masën 150 000 lekë/muaj;
b) Drejtori në Drejtorinë e Menaxhimit të Godinave Shtetërore, drejtori në Drejtorinë e Udhëtimeve dhe Akomodimit dhe drejtori në Drejtorinë e Eventeve dhe Trajtimit të Personaliteteve, në masën 40 000 lekë/muaj;
c) Shefi i sektorit të udhëtimeve, shefi i sektorit të akomodimeve, shefi i sektorit të projektimit dhe planifikimit të hapësirave, shefi i sektorit të administrimit dhe mirëmbajtjes, shefi i sektorit të mobilimit dhe infrastrukturës së brendshme, shefi i sektorit të godinave qeveritare, shefi i sektorit të ideimit dhe organizimit, shefi i sektorit të zbatimit dhe shefi i sektorit të trajtimit të personaliteteve, në masën 35 000 lekë/muaj;
ç) Shefi i sektorit të shërbimeve të përgjithshme në Kryeministri në masën 50 000 lekë/muaj;
d) Specialisti i udhëtimit, specialisti i akomodimit, specialisti inxhinier, specialisti arkitekt “interior design”, specialisti i restaurimit, specialisti i logjistikës/terrenit, specialisti i organizimit, specialisti i shërbimit në sektorin e trajtimit të personaliteteve dhe specialisti arkitekt projektues, në masën 30 000 lekë/muaj;
dh) specialisti i arkivit dhe protokollit në masën 5 000 lekë/muaj;
e) specialisti në sektorin e godinave qeveritare në masën 25 000 lekë/muaj.
Klasat e pagës, shtesat për vjetërsi në punë, si dhe shtesat për kushte pune të punonjësve mbështetës në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Vlera e pagës bazë për klasë dhe mënyra e llogaritjes së vjetërsisë për secilën klasë të përcaktuar në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve mbështetës në institucionet e administratës publike.
Vendimi nr.365, datë 16.6.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve dhe punonjësve të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare”, i ndryshuar, shfuqizohet. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
