Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka lëshuar një tjetër deklaratë të fortë duke akuzuar qeverinë për manipulim masiv në zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Gjatë një konference për shtyp nga selia e PD-së, Berisha paralajmëroi se opozita do të hyjë në një fazë të re të veprimit politik dhe qytetar, duke filluar protesta në të gjithë vendin dhe jashtë tij.
Berisha u shpreh se vendi ndodhet në një situatë ku “farsa elektorale” e orkestruar nga qeveria duhet të zbardhet dhe dokumentohet plotësisht. Ai theksoi se opozita do të ndërmarrë të gjitha format e nevojshme të protestave, brenda dhe jashtë Shqipërisë, por aktualisht ndodhet në fazën e dokumentimit dhe verifikimit të të gjithë procesit zgjedhor.
“Pa asnjë mëdyshje, do nisin të gjitha format e domosdoshme të protestave në Shqipëri dhe në botë. Por, kjo është faza e dokumentimit, e verifikimit të të gjithë farsës elektorale që ka ndodhur me votën e shqiptarëve në Shqipëri dhe diasporë. Dhe kjo vazhdon sepse siç e shihni, dy rrethe do i paraqesim këtu, janë kontrolluar në Shqipëri për ligjshmërinë e procesit dhe në tërësi konstatohen manipulime, përçudnira, fakte që tejkalojnë edhe imagjinatat njerëzore,” tha Berisha.
Ai shpjegoi se procesi i verifikimit nuk është i thjeshtë dhe kërkon kohë, veçanërisht kontrolli i videove nga qendrat e votimit. Berisha u zotua se opozita do të shkojë deri në fund në këtë proces për të faktuar se si, sipas tij, Kryeministri Edi Rama ka instaluar një farsë elektorale dhe nuk i ka fituar kurrë zgjedhjet në mënyrë të ndershme.
Duke iu referuar atyre që besojnë në fitoren e qeverisë në këto zgjedhje, Berisha i ndau në dy kategori: ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për procesin elektoral dhe ata që janë në shërbim të qeverisë. Ai kritikoi propagandën qeveritare që sipas tij synon të largojë vëmendjen nga puna e opozitës për dokumentimin e manipulimeve.
Berisha listoi një sërë argumentesh që sipas tij dëshmojnë për farsën elektorale, duke përmendur prokurimet e shumta në shkelje të ligjit nga qeveria, shpërblimet e dhëna votuesve gjatë fushatës, përdorimin e punonjësve të administratës si operatorë elektoralë, përdorimin e logjistikës shtetërore në zgjedhje, faljen e borxheve pak para votimit dhe dekretimin e mbjelljes së kanabisit në shkallë të gjerë për interesa elektorale.
“E kam thënë dhe e them, vota vdiq pa hyrë në kuti, e megjithatë në ditën e zgjedhjeve, me procedurën e zgjedhjeve, qeveria ka shtrirë duart e veta të zeza për ta bërë këtë farsë më thellë dhe më të shëmtuar që ka ndodhur ndonjëherë,” përfundoi Berisha, duke ritheksuar vendosmërinë e opozitës për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve dhe për të kërkuar përgjegjësi për manipulimet e pretenduara.