Kryetari i PD, Sali Berisha është paraqitur sot në ambientet e SPAK, ndërsa në daljen e tij nga prokuroria iu rikthye akuzave ndaj gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka, e cila caktoi masën e parë detyrim paraqitje ndaj tij.
Asokohe Berisha ngriti pretendime se Gjoka ishte dënuar nga autoritetet greke dhe këtë fakt ajo e kishte fshehur sipas tij nga formulari i dekriminalizimit.
Berisha ka publikuar sot dokumentet që sipas tij vërtetojnë dënimin e Irena Gjokës nga gjykata e Janinës dhe rrjedhimisht bëjnë vendimet e saj ndaj ish-kryeministrit të pavlefshme.
Gjoka është shpallur fajtore sepse në datën 24 dhjetor 2002 është kapur në pikën e kufirit Kakavijë gjatë kontrollit të pasaportës me dokumente udhëtimi të falsifikuara.
Sipas këtij vendimi rezulton se Gjoka është shpallur fajtore për dokumente të falsifikuara dhe është dënuar me 3 muaj burg dhe gjobë 1500 euro.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj drejtësisë shqiptare dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, pas paraqitjes së tij në SPAK për dosjen “Partizani”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se autoritetet greke kishin bërë publik një dokument që, sipas tij, rrëzon themelet e reformës në drejtësi, ndërsa akuzoi administratën amerikane të Biden se kishte tentuar ta mbante të fshehur.
Ai sulmoi ashpër edhe kryegjykatësen e Tiranës, duke e akuzuar për falsifikime dhe mbulim të dënimeve penale. “Turp e mafie”, u shpreh Berisha, duke paralajmëruar se pas zgjedhjeve do të ketë përballje me të gjithë ata që kanë fshehur krime në sistemin e drejtësisë.
‘Pra, kjo Irena me 5 mbiemra, me 5 fytyra po asnjë njerëzore, kjo vesh togën e zezë të kryegjykatës së Tiranës për të mbuluar dënimin e saj penal, për të mbuluar falsifikimet e saj’, tha Berisha.