Skip to content

Bëri tatuazhin e dy fëmijëve heroit shqiptar, i ndodh gjëja e rëndë nga grekët

Një tatuazh i bërë për të nderuar dy fëmijët që humbën jetën tragjikisht në ujërat e lumit Arachthos në Greqi është kthyer në qendër të një polemike të fortë në vend.

Ledian Goga, shqiptari që u hodh në lumë në një përpjekje heroike për të shpëtuar dy fëmijët që kishin përfunduar në thellësi, vendosi të mbante në trup një kujtim të përhershëm të kësaj ngjarjeje tragjike. Ai realizoi një tatuazh me portretet e fëmijëve si një shenjë nderimi dhe kujtese për jetët e humbura.

Mirëpo, artisti i tatuazheve që realizoi këtë vepër prekëse, Fotis Karkasinas, ka deklaruar për mediat greke se është sulmuar publikisht nga një emision televiziv. Ai u akuzua se e kishte realizuar tatuazhin me qëllim përfitimi personal dhe si një formë reklamimi për studion e tij të tatuazheve.

Artisti Karkasinas shpjegoi se e gjithë situata ishte shumë e rëndë emocionalisht. “Kur bën tatuazhe të tilla, e ndjen gjithë barrën emocionale. Goga më tregoi çfarë donte, gjetëm së bashku foton që është shpërndarë kudo. Ishte një moment shumë i fortë,” tha ai, duke theksuar ndjeshmërinë e momentit dhe dëshirën e Ledian Gogës për të përjetësuar kujtimin e fëmijëve.

Sipas artistit, polemika nisi pas pjesëmarrjes së tij në një emision tjetër televiziv, ku një gazetar e sulmoi publikisht. “Dola në një tjetër emision, dhe një gazetar më sulmoi. Nuk kishte bërë asnjë kërkim përpara se të fliste. Nuk e pa çfarë ka ndodhur vërtet dhe nuk më respektoi. Tha se nuk i pëlqeu tatuazhi, dhe se sipas tij e bëmë për reklamë,” u shpreh Karkasinas i zhgënjyer.

Artisti i tatuazheve ka mohuar kategorikisht çdo qëllim të tillë komercial, duke theksuar se e vetmja arsye pse e realizoi tatuazhin ishte dëshira e sinqertë e Ledian Gogës për të mbajtur një kujtim të përjetshëm për dy fëmijët që ai tentoi me guxim t’i shpëtonte, por fatkeqësisht nuk ia doli dot. Kjo histori ka ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik grek, ku shumë e kanë mbështetur veprimin e artistit si një akt human dhe në respekt të dëshirës së Ledian Gogës.

Published inLajme