Vlora është tronditur sot nga një protestë e banorëve të Lumit të Vlorës, të cilët dolën në rrugë të indinjuar nga mungesa e infrastrukturës dhe premtimet e pambajtura. Me pankarta në duar ku shkruhej “Zoti kryeministër eja në Smokthinë” dhe “Zëri i Velçës nuk shuhet”, mbi 150 banorë nga fshatrat Verbas, Marogjin, Bashaj, Vernik, Ramicë dhe Velç bllokuan për rreth 30 minuta qarkullimin në rrugën e Lumit të Vlorës, një arterie e rëndësishme që lidh krahinën me bregdetin e Himarës.
Banorët, të lodhur nga premtimet boshe, u shprehën se prej 35 vitesh rruga e tyre ka mbetur në harresë dhe se për të përshkuar vetëm 25 kilometra duhet të kalojnë deri në dy orë rrugëtim nëpër gropa e kthesa të amortizuara. Ata akuzuan qeverinë dhe pushtetin vendor për neglizhencë totale, ndërsa theksuan se investimi në këtë rrugë do të sillte zhvillim të madh ekonomik dhe turistik për zonën.
“35 vite në mjerim, të harruar, të pavlerësuar. Këta tallen me ne. Të vetmen mundësi kemi protestën,” – tha një nga banorët, ndërsa të tjerë i kujtuan qeverisë se kanë paguar taksa gjithë këto vite, por nuk kanë parë asnjë investim.
Në protestë nuk mungoi as muzika popullore, por as paralajmërimi i banorëve: nëse nuk do të ketë reagim nga qeveria, protesta e radhës do të zhvillohet brenda muajit shtator.
Ish-deputeti Murrizi shpërthen ndaj protestuesve
Por në vend që kauza e banorëve të mbështetej, ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi u kujdes të ndizte polemika me një reagim të ashpër e të papërmbajtur në rrjetet sociale. Me gjuhë të rëndë e thumbuese, ai u shpreh se protestat e sotme janë të vonuara dhe se qytetarët nuk kanë pse bëhen “nervikë pas pilafit”.
“Ata që votojnë gjithë kohës kandidatë apo parti me mashtrues e hajdutë, do i ‘marrë lumi’ gjithë jetën,” – shkroi Murrizi, duke hedhur vrer mbi banorët e revoltuar. Sipas tij, tashmë është tepër vonë për reagime, pasi mundësia e radhës për ndryshim do të vijë vetëm në zgjedhjet e vitit 2029.
Protesta e vonuar apo revoltë legjitime?
Reagimi i Murrizit ka ndezur polemika të forta. Për një pjesë të opinionit, ai ka folur hapur dhe pa filtra, duke u kujtuar banorëve se përgjegjësia për situatën e krijuar u takon edhe vetë atyre, që për vite me radhë kanë votuar të njëjtët njerëz që sot i akuzojnë për mashtrim.
Por nga ana tjetër, gjuha e rëndë dhe ironia në një moment kur qytetarët janë ngritur për një të drejtë legjitime – infrastrukturën bazë – shihet si ofendim dhe fyerje e një populli të lodhur nga varfëria dhe izolimi.
Nëse protesta e banorëve do të sjellë rezultate konkrete, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: zëri i Lumit të Vlorës nuk është më në heshtje, ndërsa reagimi i Murrizit ka hapur një front të ri debati mbi marrëdhënien mes politikës dhe qytetarëve.