Skip to content

Befason Ajola Xoxa: Jam marr peng me dhunë

“Unë nuk kam patur KURRE ndonjë çantë Hermes apo Chanel, sikurse është thënë në gjyqin tim publik”

Bashkëshortja e krybashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xoxa ka reaguar për herë të parë në lidhje me hetimi ne SPAK.

Reagimi i plotë:

Të gjithëve ju që më lexoni, ju kërkoj të parafytyroni vetëm faktin që unë jam e hetuar, por jo e pandehur, pavarësisht se e dënuar dhe e ekzekutuar pa gjyq në gjyqin e politikës, medias dhe rrjeteve sociale. Vonesa e këtij sqarimi të detajuar, lidhet me faktin se unë fustanët dhe bizhutë 800 mijë euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju. Nga mediat. Ndërsa akt-akuzën qindrafaqëshe e kam marrë vetëm pasi jam akuzuar për këtë shifër tromaksëse dhe për një sërë çudirash të tjera, një ditë përpara se të shkoja në sallën e gjyqit.

E marrë peng me dhunë në këtë valle shpatash e thikash mediatike dhe e konfirmuar si peng nga një trupë paragjykuesish, kam qenë e detyruar ta nis me vonesë punën për evidentimin e shifrave reale të financave që kanë të bëjnë me mua në atë akt-akuzë të mbushur me të pavërteta.

Tani jam gati që nga sot dhe në ditët në vijim, të sqaroj me detaje të imta, narrative dhe financiare, dhe me përgjegjësi të plotë publike apo ligjore, të gjithë këtë bllof të dhunshëm, të cilin do ta përball deri në Gjykatën e Strasburgut me pafajësinë time të plotë.

E para pjesë e të pavërtetës së madhe, që dua ta çmontoj dhe ta flak nga vetja si një thes, që ma kanë hedhur në kokë për të më shëtitur nëpër rrugë, duke nxitur linçimin tim me pështyma dhe gurë, është natyrisht ajo më skandalozja: 800 mijë euro online fustanë dhe bizhu.

Në seancën e të martës, datë 11 shkurt, në GJKKO, unë deklarova se shifra ishte lebetitëse dhe fundekrye e pavërtetë. Pastaj, që prej të mërkurës, ekspertët kontabël kanë kaluar në një sitë shumë të imët çdo llogari timen bankare dhe kanë nxjerrë nda deklaratat e llogarive bankare çdo blerje online të 10 viteve të fundit (1.1.2015 – 1.1.2025).

Totali i blerjeve të mija online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime), është për 10 vite: 75’025 Euro në total (1.1.2015 – 1.1.2025).

 

Published inLajme