Mbrëmjen e sotme startoi edicioni i pestë i Big Brother VIP Albania, reality show më i madh në Shqipëri me rekorde audience. Nën shkëlqimin e dritave, do të hyjnë një nga një banorët VIP, që priten me kureshtje nga publiku shqiptar.
Reality show që mban mbërthyer para ekranit miliona shikues, shqiptarë anë e mbanë botës, vjen nën moderimin e Ledion Liços, ku nuk do të mungojnë dhe analizat e opinionistëve, Arbër Hajdari dhe risia e këtij sezoni, Monika Kryemadhi.
Për të zbuluar këto dhe shumë të tjera, ndiqni sot spektaklin e madh në Top Channel, DigitAlb me dy kanalet e dedikuara “Big Brother VIP 1” dhe “Big Brother VIP 2”, dhe në kanalin zyrtar të Top Channel në YouTube.
Armir Shahini ose siç njohet ndryshe si Miri i West Side Family është konkurrenti i parë për edicionin e pestë të Big Brother VIP.
Armir “Miri” Shahini është një këngëtar shumë i dashur shqiptar, i njohur më së shumti si një nga anëtarët kryesorë të grupit ikonë West Side Family.
Miri ka qenë prej vitesh një figurë e njohur e kulturës pop shqiptare.
Karriera e tij, e shënuar nga këngë hite dhe performanca të paharrueshme, i ka siguruar një bazë besnike fansash.
Si anëtar i West Side Family, një prej grupeve më ikonike në Shqipëri, Miri sjell nostalgji, njohje të menjëhershme dhe interes të madh nga publiku.
Në planin familjar, Miri raporton një marrëdhënie të qëndrueshme me bashkëshorten e tij gjermane, dashuri me shikim të parë nga ana e saj, në një dasmë.
Brikena Selmani është banorja e radhës që do të jetë konkurrente në “Big Brother VIP 5”. Ajo është një modele nga Kosova, para pak kohësh përfaqësoi Kosovën në “Miss Grand International 2025”.
Përpara se të përfshihej në modeling, ka punuar si arkëtare për tre vjet në një supermarket, ku është vlerësuar si “arkëtarja më e mirë”.
Gjatë paraqitjes së saj në “Miss Grand International”, la përshtypje duke veshur veshje tradicionale shqiptare, dhe me kombinim elegant me krenarinë kulturore, e më pas u bë virale në rrjet.
Ajo deklaroi se partneri ideal për të do të ishte shqiptar dhe se ka hyrë single në program.
Kristi Lamaj, këngëtar i muzikës popullore, do të jetë pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
“E di kur do të hyj dhe e di kur do të dal. Do të dal me fitore”, tha Kristi Lamaj gjatë fjalës së tij përpara se të hynte në shtëpi.
Ai u rrit në qytetin e Vlorës, me muzikë që në moshë të vogël. Më pas vazhdoi arsimin muzikor në shkollën “Naim Frashëri” në Vlorë, duke u specializuar në këndim klasik.
Paralelisht me muzikën, ai zgjodhi të studiojë juridik, me dëshirën për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme profesionale, duke zhvilluar njëkohësisht rrugëtimin artistik.
