Analisti politik Baton Haxhiu ka qenë i ftuar këtë të hënë në emisionin “Barometri” në Euronews Albania, ku ka komentuar matjet e fundit të opinionit publik në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Sipas tij, megjithëse fushata nuk ka pasur tensione të mëdha, rezultati i së dielës do të sjellë një ndikim të dukshëm në përbërjen politike të parlamentit të ardhshëm.
Duke iu referuar trendeve që kanë nisur që prej dhjetorit, Haxhiu parashikon se në Kuvendin e ri do të hyjnë pesë parti politike, duke sinjalizuar një pluralizim më të theksuar të përfaqësimit krahasuar me legjislaturën aktuale. Sipas tij, ky zhvillim nuk do të vijë nga zonat periferike, por nga kryeqyteti – Tirana, që ai e konsideron si epiqendrën e ndryshimit politik.
“Një konstatim i parë është që sot, Shqipëria do të ketë 5 parti politike në parlament. Ky rezultat do të shihet edhe ditën e diel. Ndryshimi i parë vjen në Tiranë dhe jo në periferi”, – deklaroi Haxhiu.
Ai shtoi se krahasuar me matjet e bëra gjatë muajve të fundit, që prej dhjetorit e deri më tani, nuk ka pasur ndonjë lëvizje dramatike apo tensione të mëdha gjatë fushatës. Për këtë arsye, edhe kurba e mbështetjes për partitë politike ka mbetur relativisht stabile, pa lëkundje të mëdha në preferencat e elektoratit.
“Rezultatet nga dhjetori deri më sot tregojnë se nuk ka pasur ekspozim të vrazhdë gjatë zgjedhjeve dhe as përplasje të mëdha. Ndaj kurba nga dhjetori deri tani është e afërt, lëvizjet në matje janë të vogla”, – u shpreh Haxhiu.
Deklaratat e analistit vijnë në një moment kyç, pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të shumëpritura të 11 majit, dhe sinjalizojnë një klimë më të qetë politike, por edhe një transformim të mundshëm të hartës elektorale, veçanërisht në qendrat urbane si Tirana.