Një zhvillim i fortë politik është bërë publik mbrëmjen e sotme në emisionin “Oponencë” në News24, ku gazetarja dhe moderatorja Anduena Llabani ka zbuluar se, sipas burimeve të saj të sigurta, kryeministri Edi Rama i ka kërkuar zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të dorëhiqet nga posti.
Deklarata e Llabanit vjen në një moment tepër të tensionuar për qeverinë, pasi Balluku ndodhet nën hetim nga SPAK për çështjen e supervizimit të tunelit të Llogarasë, një projekt me vlerë miliona euro që ka qenë në qendër të dyshimeve për abuzime dhe shpërdorim fondesh publike.
“Kam informacione të konfirmuara se kryeministri Rama i ka kërkuar dorëheqjen znj. Balluku. Këto janë informacionet që kam unë,” – deklaroi Llabani në transmetim të drejtpërdrejtë, duke i shtuar peshë akuzave që po qarkullojnë në qarqet qeveritare.
Sipas burimeve pranë kabinetit qeveritar, Balluku pritet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme ditën e premte, pas një ftese zyrtare që mban firmën e prokurorit Dritan Prençi.
Ftesa për të qenë e pranishme në seancë nënkupton se ndaj saj mund të jetë gati komunikimi zyrtar i një akuze penale, që lidhet me hetimet mbi mënyrën se si janë menaxhuar kontratat e mbikëqyrjes dhe fondet e ndërtimit të tunelit.
Kujtojmë se Balluku është një prej figurave më të afërta të Edi Ramës në qeveri, dhe çdo lëvizje ndaj saj do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në ekuilibrat e brendshëm të kabinetit, veçanërisht në prag të ndryshimeve të reja që kryeministri pritet të ndërmarrë.
Ky zhvillim shton presionin publik mbi qeverinë Rama, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë të afrohen me disa prej zyrtarëve më të lartë të shtetit.
Nëse konfirmohet kërkesa për dorëheqje, do të ishte hera e parë që një zëvendëskryeministre largohet nën hijen e një hetimi të SPAK, duke sinjalizuar një tronditje serioze politike brenda mazhorancës socialiste.
