Një stuhi e fuqishme ka goditur Shqipërinë gjatë ditës së sotme, duke shkaktuar kaos dhe probleme serioze në disa qytete kryesore. Era e fortë e shoqëruar me reshje të dendura shiu ka ndikuar ndjeshëm në qarkullimin rrugor, ajror dhe detar.
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” është detyruar të ndërpresë përkohësisht operacionet, pasi pista u bë e papërdorshme nga moti i keq. Për pasojë, disa avionë janë detyruar të qëndrojnë në ajër më gjatë se zakonisht, duke krijuar trafik të pazakontë ajror.
Në kryeqytet, stuhia rrëzoi disa pemë në zonën pranë “Stadiumit Dinamo”, ndërsa në Durrës, reshjet e dendura sollën bllokime të shumta në qarkullimin rrugor. Situata mbetet e vështirë edhe në Lezhë, ku rrugët e Shëngjinit u përmbytën nga shiu i rrëmbyeshëm. Probleme janë regjistruar edhe në jug të vendit, ku Kapiteneria e Vlorës pezulloi lundrimet për mjetet e vogla dhe të peshkimit, duke i paralajmëruar qytetarët të marrin masa sigurie.
Autoritetet u kanë bërë apel qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve që të kufizojnë lëvizjet e panevojshme dhe të tregohen maksimalisht të kujdesshëm, pasi parashikohet që kushtet atmosferike të mbeten të paqëndrueshme gjatë orëve në vijim.