U mbajt sot seanca e radhës e Kuvendit, në vazhdën e seanca të mëparshme, për t’i lënë vendin Kuvendit të ri pas shtatorit. E ndërsa ende ai është deputet i Shqipërisë, Dashnor Sula nuk ishte këtë të enjte në sallë. Në Top Story ai tha se e kishte të pamundur të ishte për shkak të një angazhimi familjar. Por do të jetë në seancat e radhës që kanë mbetur.
Ai tha se kur të jetë në sallë do të bëjë dhe një propozim… “Unë e kisha të pamundur për një angazhim familjarë. Ishte një seancë jo seancë, thjeshtë një qasje siç ka qenë e kaluara, një aktor force dhe gjithçka që ka mazhoranca, dhe një viktimë siç ishim dhe vazhdon të jetë viktimë më e madhe, opozita.
Në seancat e tjera do të jem, dhe do bëj një propozim për deputetët, që më mirë Shqipëria të kthehet në monarki kushtetuese, sepse ai parlament është pa vlerë. Jemi republike kryeministrore”, tha Sula.
Ish-deputeti i PD-së, Dashnor Sula, u ‘përplas’ me analistin Arjon Sulo, duke thënë se njerëzit nuk e duan më Berishën si kryeministër, për këtë arsye humbja e opozitës ishte e thellë.
Dashnor Sula: Më kanë thënë njerëz: ‘Nuk mund ta bëjmë sërish kryeministër Sali Berishën’. Një makinë shumë të vjetër politike si Edi Rama ta zëvendësosh me një makinë akoma më të vjetër si Sali Berisha. Mua më kanë thënë socialistë që shkojnë te Kisha e Laçit që Berisha të rrijë dhe katër vite.
