Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin “Debat” nga gazetarja Alba Alishani në A2 CNN, ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike pas rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar se një analizë e thelluar dhe pa kompromis do të zhvillohet brenda forcës politike që ai përfaqëson.
Sipas tij, megjithëse analiza e brendshme është e pashmangshme, prioriteti momental i PD-së mbetet denoncimi publik i asaj që ai e quajti “farsa elektorale”.
“Në këtë fazë, askush nga PD nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë – as si individ, as si pjesë e një skuadre. Sigurisht, drejtimin e mban kryetari i partisë, por secili nga ne ka pasur një rol specifik për të përmbushur dhe duhet të japë llogari për atë që ka bërë apo nuk ka bërë,” u shpreh Këlliçi me një ton të vendosur.
Ai nënvizoi se PD do ta shfrytëzojë maksimalisht kohën deri në publikimin e raportit përfundimtar të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR për të informuar qytetarët mbi parregullsitë dhe deformimet që, sipas tij, kanë ndodhur më 11 maj.
“Ky është momenti për të denoncuar farsën, jo për të kaluar menjëherë në analizën e brendshme. Nëse humbasim trenin e denoncimit, nuk do të kemi më as moralin e nevojshëm për të bërë autokritikë”, shtoi ai.
Këlliçi theksoi se analiza e brendshme në PD do të përfshijë çdo nivel të strukturës dhe çdo kandidat, duke evidentuar se jo të gjithë kanë kontribuar njësoj gjatë fushatës.
Ai përmendi rastin e Ilir Alimehmetit, për të cilin tha se ka marrë rreth 18 mijë vota dhe megjithatë nuk ka arritur të hyjë në parlament për shkak të sistemit aktual elektoral.
“Kjo është e paimagjinueshme. Ndërkohë që figura si Alimehmeti mbeten jashtë, brenda parlamentit hyjnë individë që përfaqësojnë turpin politik, si Tërmet Peçi apo Agron Malaj. Kjo është pasoja direkte e një kodi elektoral të manipuluar nga Edi Rama,” deklaroi Këlliçi.
Në përfundim, ai u shpreh se denoncimi publik i manipulimeve dhe presioneve gjatë procesit zgjedhor nuk do të ndalet, sepse është detyrimi i parë moral e politik i Partisë Demokratike përballë qytetarëve që kërkojnë transparencë, drejtësi dhe një opozitë të përgjegjshme.