Skip to content

Arti në zi, shuhet një nga më shquarit e botës!

Alfred Brendel, i konsideruar gjerësisht si një nga pianistët më të shquar të botës, ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga BBC, duke njoftuar se ikona e pianos vdiq paqësisht në Londër, të martën, i rrethuar nga familjarët e tij të dashur.

I lindur në Republikën Çeke dhe me kombësi austriake, Brendel ishte një figurë qendrore në botën e muzikës klasike, i njohur jo vetëm për virtuoitetin e tij në piano, por edhe si kompozitor dhe poet i talentuar. Ai la pas një trashëgimi të pasur interpretacionesh, me shumicën e kritikëve që e vlerësojnë atë si një nga interpretuesit më të mëdhenj të veprave të Ludwig van Beethoven-it.

Përtej mjeshtërisë së tij muzikore, Alfred Brendel njihej gjithashtu si një eseist dhe poet me një sens të veçantë humori, duke e bërë atë një personalitet të dashur dhe respektuar në skenën ndërkombëtare kulturore.

Alfred Brendel lindi më 5 korrik 1931 në Wiesenberg, atëherë pjesë e Republikës Çeke. Interesant është fakti se, ndryshe nga shumë muzikantë të tjerë të suksesshëm, ai nuk kishte një prejardhje muzikore familjare dhe madje nuk shfaqi ndonjë talent të veçantë për këtë art në fëmijëri. Ai nisi mësimet e pianos në moshë të re në Jugosllavinë e asaj kohe dhe më vonë vazhdoi studimet në Konservatorin e Graz-it në Austri.

Rrugëtimi i tij muzikor mori një drejtim të rëndësishëm kur në Lucernë ndoqi klasa masteri me Edwin Fischer, një muzikant i shquar që e mësoi të interpretonte me pasion, por duke respektuar kufijtë e stilit klasik. Në moshën 16-vjeçare, përveç ndjekjes së këtyre klasave dhe dëgjimit të pianistëve të tjerë të famshëm, Brendel filloi të eksploronte vetë potencialin e pianos.

Ai bëri debutimin e tij publik në Graz në vitin 1948, në moshën 17-vjeçare, duke shënuar fillimin e një karriere të jashtëzakonshme. Brendel zgjeroi me shpejtësi repertorin e tij, duke përfshirë kryesisht muzikën e kompozitorëve të Evropës Qendrore, por duke iu shmangur qëllimisht muzikës moderne. Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai performoi në skena prestigjioze koncertesh në të gjithë botën. Në vitin 1971, ai zgjodhi Londrën si vendbanim të tij.

Një moment kulmor në karrierën e tij ishte debutimi i tij me katër koncerte pianoje kushtuar veprave të Beethoven-it. Koncerti i tij i fundit në këtë cikël u zhvillua në vitin 1999 me Orkestrën Filarmonike të Vjenës, nën dirigjimin e Simon Rattle, me të cilin Brendel kishte një partneritet të gjatë dhe jashtëzakonisht të suksesshëm muzikor.

Alfred Brendel ishte gjithashtu një shkrimtar i talentuar. Libri i tij i parë me ese, “Musical Thoughts and Afterthoughts”, i botuar në vitin 1976, ofroi një vështrim të thelluar në interpretimet e tij muzikore, por shkoi përtej kufijve të tyre. Në vitin 1998, ai publikoi librin me poezi “One Finger Too Many”, duke ndarë sensin e tij unik të humorit me publikun.

Në dhjetor të vitit 2008, Alfred Brendel u nderua me çmimin muzikor “Herbert von Karajan” për Arritje Jetësore, në një ceremoni të mbajtur në Baden-Baden, Gjermani. Në të njëjtin muaj, ai bëri daljen e tij të fundit në skenën e koncerteve në Vjenë, ku interpretoi si solist në Koncertin për Piano nr. 9 të Mozartit. Performanca e tij u votua nga “Daily Telegraph” si një nga 100 momentet më të mëdha kulturore të dekadës.

Pas kësaj, ai u përball me humbje akute të dëgjimit, duke e detyruar të tërhiqej nga performancat publike. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, ai vazhdoi të jepte leksione dhe mësime master për brezin e ri të muzikantëve, duke ndarë me ta njohuritë dhe pasionin e tij për muzikën. Ndahet nga jeta një nga figurat më të rëndësishme të interpretimit të muzikës klasike, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme për brezat e ardhshëm.

Published inLajme