Policia e Tiranës ka vënë në pranga Njuland (Lendi) Palajn, i njohur si menaxher i lokaleve të basteve “333” dhe “CR7”. Ky arrestim konfirmio dhjetëra denoncime online se në këto lokale ushtrohet aktiviteti i paligjshëm i basteve sportive.
Si funksiononte rrjeti dhe kush u arrestua?
Operacioni u krye në lokalin në pronësi të Palajt në rrugën “Sadik Petrela” në zonën e Xhamllikut. Gjatë kontrollit, Policia konstatoi se 28-vjeçari, së bashku me administratorin e lokalit dhe tre persona të tjerë, vendosnin baste sportive përmes celularëve.
Të pestë personat u arrestuan. Krahas Njuland Palajt, në pranga përfunduan edhe Arsen Zebi, Florian Çela, Ergest Lloci dhe Erigest Alisha.
Policia ka publikuar edhe fotografi nga bisedat e marra nga celularët e të arrestuarve, ku shihet qartë se ata komunikonin me klientët për vendosjen e basteve dhe dërgimin e skedinave me “screenshot”.
Lidhjet e Njuland Palajt me politikën dhe krimet
Ky nuk është arrestimi i parë për Njuland Palajn. Ai dyshohej si i përfshirë në një konflikt të armatosur të ndodhur më 29 prill 2025 në zonën e “Ali Demit”. Në atë ngjarje, persona të tjerë akuzohen se qëlluan me armë zjarri në drejtim të zyrave elektorale të Partisë Socialdemokrate (PSD) të Tom Doshit.
Palaj, i cili kishte vepruar në hije dhe shmangur vëmendjen, u bë i njohur për lidhjet e tij politike gjatë fushatës elektorale të vitit 2021, ku u aktivizua në zonën e Ali Demit në favor të PSD-së.
Në atë kohë, Palaj u dorëzua vetë në Polici, por qëndrimi i tij në komisariat nuk zgjati më shumë se 48 orë, pasi Gjykata vendosi t’i ndryshonte masën e sigurisë. Mbetet për t’u parë nëse ky rast i ri do të sjellë një ndëshkim më të ashpër.