Autoritetet në Çad kanë arrestuar ish-kryeministrin dhe udhëheqësin e partisë kryesore opozitare Les Transformateurs (Transformuesit), Succès Masra, në banesën e tij në N’Djamena, në orët e para të mëngjesit të 16 majit 2025 – bëri të ditur sot Human Rights Watch.

Arrestimi i Masrës ka ngritur shqetësime serioze për përshkallëzimin e përndjekjes dhe kërcënimeve ndaj opozitës në Çad, sidomos ndaj partisë Les Transformateurs, por edhe ndaj figurave të tjera kundërshtare të pushtetit. Nëse autoritetet nuk kanë një akuzë të besueshme ndaj tij, Masra duhet të lirohet menjëherë.
“Succès Masra dhe partia e tij kanë të drejtën të shprehin lirisht mendimet e tyre, pa frikën e arrestimit,” – tha Lewis Mudge, drejtor për Afrikën Qendrore në Human Rights Watch. “Në vend të kësaj, autoritetet çadiane kanë përdorur vazhdimisht arrestime dhe shtypje për të mbytur çdo zë kritik dhe kundërshtim paqësor.”
Një dëshmitar nga lagjja Gassi e kryeqytetit N’Djamena, ku ndodhet banesa e Masrës, tha se forcat e sigurisë mbërritën pak para orës 6 të mëngjesit për ta arrestuar. Anëtarë të partisë i thanë HRW se Masra, 41 vjeç, ndodhet në mbajtje pranë policisë gjyqësore në N’Djamena, me akses te avokatët e tij.
Në një konferencë për shtyp, prokurori publik Oumar Mahamat Kedelaye deklaroi se Masra u arrestua në lidhje me një përplasje ndërkomunitare që ndodhi më 14 maj në provincën Logone Occidental, në jugperëndim të Çadit, ku humbën jetën 42 persona. Sipas tij, autoritetet e akuzojnë Masrën për nxitje të urrejtjes dhe dhunës përmes postimeve në rrjetet sociale dhe për përfshirje në dhunë. Megjithatë, pas incidentit, Masra kishte shprehur publikisht ngushëllimet për viktimat dhe kishte deklaruar: “Jeta e asnjë çadiani nuk duhet marrë si e mirëqenë.”
Ndërkohë, përplasjet mes barinjve dhe bujqve janë të zakonshme në jug të Çadit, por vitet e fundit janë bërë më të përgjakshme, duke shkaktuar dhjetëra viktima.
Masra dhe përkrahësit e tij janë përballur me kërcënime që përpara zgjedhjeve të majit 2024, ku ai garoi kundër presidentit të përkohshëm të atëhershëm, gjeneral Mahamat Idriss Déby. Pas shpalljes së fitores së Débyt, përfundoi zyrtarisht periudha kalimtare që kishte nisur në vitin 2021, pas vdekjes së babait të tij, presidentit Idriss Déby Itno, i cili u vra në një përplasje me një grup të armatosur një ditë pas rizgjedhjes për mandatin e gjashtë.
Nën qeverisjen aktuale, autoritetet kanë treguar një mospërfillje të qartë ndaj debatit politik apo kritikës publike, duke përfshirë edhe diskutimet për të kaluarën e vendit.
Shtypja e lirive të shprehjes dhe organizimit nga qeveria është shoqëruar shpesh me dhunë. Pas rizgjedhjes së Idriss Déby në vitin 2021 dhe vdekjes së tij, forcat e sigurisë përdorën forcë të tepruar, përfshirë municion të vërtetë të përdorur pa dallim ndaj protestuesve opozitarë në mbarë vendin, ku disa prej tyre humbën jetën. Aktivistët dhe anëtarët e opozitës u arrestuan dhe gazetarët që mbulonin protestat u rrahën.
Më 20 tetor 2022, forcat e sigurisë qëlluan me armë drejt protestuesve, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra prej tyre, ndërkohë që shumë persona u ndoqën edhe në banesat e tyre dhe u dhunuan. Qindra burra dhe djem u arrestuan dhe u dërguan në burgun me siguri të lartë Koro Toro, rreth 600 kilometra nga N’Djamena. Disa prej tyre vdiqën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ujit. Në burgun Koro Toro, protestuesit u përballën me tortura dhe abuzime nga të burgosur të tjerë.
Në tetor 2023, dhjetëra anëtarë të Les Transformateurs u arrestuan para një referendumi kushtetues, që synonte të lejonte Mahamat Déby të kandidonte për president.
Edhe periudha para zgjedhjeve presidenciale të majit 2024 u shoqërua me dhunë. Më 28 shkurt 2024, forcat e sigurisë vranë Yaya Dillon, kreun e partisë Parti Socialiste Sans Frontières (Partia Socialiste Pa Kufij), gjatë një sulmi në selinë e partisë në N’Djamena. Edhe më shumë se një vit më pas, autoritetet ende nuk kanë sqaruar rrethanat e vrasjes së tij.
“Qeveria çadiane duhet të kërkojë dialog me opozitën politike, jo ta mbyllë atë me kërcënime dhe dhunë,” – deklaroi Lewis Mudge. “Masra duhet të lirohet menjëherë nëse nuk ka asnjë akuzë të vlefshme ndaj tij.”