Një parazit jashtëzakonisht i rrallë dhe i rrezikshëm, i njohur si krimb vidhosës (Cochliomyia hominivorax), ka shkaktuar shqetësim në Shtetet e Bashkuara pas raportimit të rastit të parë të konfirmuar për vitin 2025 në Merilend. Ky parazit, që zakonisht gjendet në Amerikën Qendrore dhe jugun e Meksikës, po përhapet gradualisht drejt veriut.
Rreziqet për shëndetin e njeriut dhe kafshëve
Rasti i raportuar ishte tek një person që kishte udhëtuar nga Guatemala në Merilend. Krimbi vidhosës është i njohur për aftësinë e tij për t’u ushqyer me mishin e gjallë të kafshëve, kryesisht bagëtive. Edhe pse infektimi i njerëzve është i rrallë, kur ndodh, gjendja mund të jetë fatale nëse nuk trajtohet menjëherë.
Shkencëtarët pohojnë se zbulimi dhe trajtimi i hershëm janë jetikë, pasi krimbat mund të vrasin “strehuesin” e tyre. Emri i parazitit vjen nga mënyra se si larvat e tij gërmojnë mishin, njësoj si një vidë që depërton në dru.
Ndikimi ekonomik në tregun e mishit
Përveç rrezikut shëndetësor, shfaqja e këtij paraziti pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm në tregun amerikan të mishit të viçit dhe bagëtive. Kjo ndodh në një kohë kur çmimet janë tashmë në nivele historike për shkak të furnizimeve të kufizuara. Një epidemi masive mund të dëmtojë rëndë blegtorinë dhe të rrisë më tej kostot për konsumatorët. Ky zhvillim ka vënë në alarm autoritetet shëndetësore dhe bujqësore për marrjen e masave parandaluese dhe të reagimit të shpejtë.