Skip to content

Alarm! Rrezja e raketave balistike të Iranit arrin shumë pranë Shqipërisë

Republika Islamike e Iranit ka lëshuar një paralajmërim të ashpër menjëherë pas sulmeve të miratuara nga Presidenti Donald Trump ndaj bazave të saj bërthamore. Sipas Teheranit, nëse një gjë e tillë do të ndodhte, do të pasonte një hakmarrje e pamëshirshme. Tani që sulmet u kryen, Irani ka paralajmëruar se mund të përdorë raketat e tij balistike për të goditur bazat amerikane të vendosura në Lindjen e Mesme dhe në zonën e Mesdheut.

Një vlerësim i publikuar nga prestigjiozja “New York Times” ka nxjerrë në pah rrezen e veprimit të raketave balistike iraniane, e cila shtrihet deri pranë Shqipërisë, duke përfshirë pjesën më të madhe të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky vlerësim ngre shqetësime të reja për sigurinë e rajonit. Për më tepër, raporti thekson se pjesa kryesore e raketëhedhësve të Iranit janë të lëvizshëm, duke u dhënë atyre fleksibilitet të madh në pozicionim dhe duke rritur efektivitetin e tyre operacional. Kjo bën që një numër i konsiderueshëm i bazave amerikane në rajon të jenë brenda rrezes së mundshme të sulmit nga raketat balistike iraniane.

Pas sulmeve amerikane mbi objektet bërthamore, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka shprehur zhgënjimin dhe kritikat e tij ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai deklaroi se Uashingtoni ka vendosur të “hedhë në erë” diplomacinë, duke iu referuar bisedimeve të fundit të ndërprera. “Javën e kaluar, ishim në negociata me SHBA-në kur Izraeli vendosi të hedhë në erë atë diplomaci. Këtë javë, zhvilluam bisedime me E3 (grupi i ministrave europianë) kur SHBA vendosi të hedhë në erë atë diplomaci”, shkroi Araghchi në platformën X.

Më tej, Ministri i Jashtëm iranian iu drejtua Britanisë dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, duke komentuar thirrjet e tyre që Irani të “kthehet” në tryezën e negociatave. Ai u shpreh me sarkazëm: “Për Britaninë dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, është Irani ai që duhet të ‘kthehet’ në tryezë. Por si mund të kthehet Irani në diçka që kurrë nuk e ka lënë, e jo më ta ketë shkatërruar vetë?”, duke nënkuptuar se Irani ka qenë gjithmonë i gatshëm për dialog dhe se Shtetet e Bashkuara janë ato që kanë minuar procesin diplomatik me veprimet e tyre ushtarake. Këto deklarata të zyrtarit të lartë iranian tregojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të retorikës dhe rrezikun e një konflikti më të gjerë në rajon.

Published inLajme