Skip to content

Aksioni masiv i policisë – Përplasje e madhe me qytetarët – ME VIDEO

Pasditen e sotme, dhjetëra banorë të fshatit turistik të Thethit janë përplasur me forcat e Policisë, në shenjë proteste kundër aksionit të Institutit Kombëtar të Territorit (IMT) për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonë. Banorët, të cilët kundërshtojnë këtë iniciativë, kërkuan shpjegime nga autoritetet lidhur me shembjen e ndërtimeve në pronat e tyre.

Gjatë protestës, banorët shprehën indinjatën e tyre, duke theksuar se kanë jetuar në zonë për qindra vjet dhe nuk kanë pasur konflikte me askënd. Ata pohuan se nuk janë kundër ligjit, por kërkojnë një dialog me drejtuesit e IMT-së për të kuptuar arsyet e këtij aksioni.

Policët në terren u përpoqën të largojnë banorët nga zona e protestës, dhe në video të publikuara dëgjohet një efektiv duke urdhëruar me ton të lartë largimin e tyre nga “objekti” ku po kryhej shembja. Situata u tensionua shpejt, duke arritur deri në momente përplasjeje fizike mes disa banorëve dhe efektivëve të policisë.

Banorët u rezistuan përpjekjeve të policisë për t’i larguar me forcë, duke argumentuar se ndodheshin në pronën e tyre. Një banor iu drejtua një polici duke thënë: “Nuk kapet qashtu siç kap ti mor burrë, se jena në pronë tonë mor burrë”. Një tjetër qytetar, pas një tentative të policisë për ta larguar, u përgjigj: “Unë jam në vend tem, në shpinë teme mor burrë. Këtu e kena shpinë, tan fshati, këtu”.

Kjo ngjarje e rëndë tregon përplasjen mes autoritetit shtetëror dhe komunitetit lokal në një zonë turistike të rëndësishme si Thethi, ku banorët ndihen të kërcënuar nga shembjet e ndërtimeve të tyre, ndërsa shteti zbaton ligjin për ndërtimet pa leje. Situata në Theth mbetet e tensionuar dhe pritet që të ketë zhvillime të reja në ditët në vijim.

Published inLajme