Të gjitha provat e mbledhura deri tani tregojnë se futbollisti portugez Diogo Jota ishte drejtuesi i mjetit në momentin kur Lamborghini i tij u përplas në një autostradë në Spanjë, duke sjellë pasoja fatale. Policia spanjolle dyshon se shpejtësia e lartë mund të ketë qenë një faktor kyç në aksident.
Ylli 28-vjeçar i Liverpool-it humbi jetën së bashku me vëllain e tij më të vogël, André Silva, 25 vjeç, pas një shpërthimi të dyshuar të gomës në zonën veriperëndimore të provincës Zamora, të enjten që lamë pas.
Sipas deklaratës së Guardia Civil, makina luksoze ishte në përpjekje për të parakaluar një tjetër automjet në autostradën A52 pranë Palacios de Sanabria, kur humbi kontrollin, doli nga rruga dhe shpërtheu në flakë.
“Indikacionet e deritanishme sugjerojnë se automjeti ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi më të lartë se limiti i lejuar,” njoftoi policia lokale e trafikut në Zamora.
Gjurmët e gomave janë analizuar me kujdes në një distancë të konsiderueshme nga vendi i shpërthimit, dhe sipas hetuesve, provat e mbledhura deri më tani përforcojnë idenë se ishte Jota ai që drejtonte makinën në momentin fatal.
Për ngjarjen po përgatitet një raport ekspertize që do t’i dorëzohet autoriteteve gjyqësore. Hetimi është komplikuar nga fakti që zjarri i fuqishëm shkatërroi pothuajse të gjithë automjetin, duke vështirësuar mbledhjen e provave fizike.
Aksidenti ndodhi vetëm 11 ditë pas martesës së Jotës me partneren e tij prej vitesh, Rute Cardoso. Çifti kishte tre fëmijë. Dy vëllezërit ishin nisur drejt portit të Santanderit, ku Jota do të merrte një traget për t’u kthyer në Angli për përgatitjet parasezonale me Liverpool-in.
Ceremonia mortore u mbajt gjatë fundjavës në Gondomar, qyteti i lindjes së tyre pranë Portos. Sipas hetuesve, gjurmët e gomave ishin të dukshme për rreth 100 metra nga vendi i aksidentit.
Ndërkohë që ishin ngritur dyshime për gjendjen e asfaltit në segmentin ku ndodhi përplasja, autoritetet spanjolle e kanë përjashtuar këtë si shkak, duke deklaruar se zona nuk konsiderohet një “pikë e zezë” për aksidente dhe se rruga është ndërtuar për të përballuar edhe shpejtësi më të larta se kufiri i zakonshëm prej 120 km/h.
