Dy incidente të trafikut të ndodhura menjëherë pas njëri-tjetrit kanë shkaktuar kaos dhe bllokim në autostradën pranë mbikalimit të Fllakës në Durrës. Sipas burimeve paraprake, në total janë përfshirë tetë automjete në dy aksidentet e ndara.
Ende nuk dihen shkaqet e sakta që çuan në këto aksidente. Skena e ngjarjes është vënë nën kontroll nga forcat e policisë dhe ambulanca, të cilat kanë mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes.
Sipas informacioneve të para, raportohet vetëm për dëme materiale në automjete, dhe për momentin nuk ka njoftime për persona të lënduar.
Aksidentet kanë sjellë bllokim të konsiderueshëm të trafikut në autostradë, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Policia po punon për të normalizuar sa më shpejt situatën dhe për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjeve që çuan në këto dy aksidente të njëpasnjëshme.
Drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në vendngjarje.