Një aksident tragjik rrugor ka ndodhur në Milano, Itali, ku ka humbur jetën një 46-vjeçar me origjinë shqiptare. Viktima është identifikuar si Leonard Uruci.
Sipas raportimeve, aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e 18 qershorit rreth orës 21:00 në rrugën Pisanello në Milano. 46-vjeçari Uruci po udhëtonte me motoçikletë të tipit Ducati nga Piazzale Brescia në drejtim të Piazzale Siena.
Në kryqëzimin e rrugës Pisanello me Via Rembrandt, një shofer i një automjeti Peugeot 2008 është kthyer djathtas, duke mos i dhënë përparësi motoçikletës Ducati që drejtohej nga shqiptari. Si pasojë e këtij veprimi, motoçikleta është përplasur me makinën dhe Leonard Uruci ka humbur kontrollin e saj, duke u përplasur më pas me tre automjete të tjera të parkuara në afërsi.
Pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore të ofruar në vendngjarje dhe transportimit të tij në spital, fatkeqësisht 46-vjeçari Leonard Uruci nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra në aksident. Lajmi i hidhur ka prekur komunitetin shqiptar në Milano dhe familjarët e tij në Shqipëri. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet e nevojshme për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik.