CNA po zbardh të tjera detaje nga dosja në lidhje me aktivitetin e dyshimtë të Ajola Xoxës përmes OJF-ve të saj. Sot po sjellim detaje mjaft interesante të pasqyruara në vendimin e gjykatës për çështjen “Veliaj-Xoxa”.
Nga të dhënat rezulton se organizata “Harabel” ofronte shërbimin e kurseve të artit për të cilat financierja Adela Kondakçiu deklaron se janë zhvilluar në ambientet e zyrave në Sky Tower, të cilat janë përdorur si hapësira për mësimdhënie pasdite.
Instruktore e këtyre kurseve ka qenë Eni Zeneli, e cila është bashkëshortja e Driant Zenelit, drejtorit ekzekutiv të “BYLA”-s. Këto kurse janë mbajtur për një periudhë prej rreth një viti deri në një vit e gjysmë, ku pjesëmarrësit merrnin mësime të ndryshme artistike. Sa u përket pagesave, ato janë mbledhur nga Anxhela Muça, e cila më pas i linte paratë te tavolina për të bërë faturat përkatëse.
Pagesat kryesisht janë bërë në lekë, me shumë pak raste të pagesave në euro. Paralelisht, Ajola Xoxa ka dhënë euro herë pas here në shuma prej 10,000 ose 20,000 eurosh, duke thënë që të presin fatura për shkak se prindërit e fëmijëve i kishin dhënë parapagim për disa muaj për kurset e artit.
Detajet në lidhje me faturat dhe menaxhimin e parave janë shumë të rëndësishme për të kuptuar mënyrën se si janë administruar financat për këto kurse dhe si janë dokumentuar transaksionet përfundimtare në llogaritë e subjekteve që menaxhohen nga Ajola.
Sipas të dhënave në dosjen hetimore shpjegohet se kurset e zhvilluara për një periudhë kohe prej rreth 1 viti e gjysmë, duket se konfirmohen edhe nga deklarimet e shtetasit Driant Zeneli.
Në lidhje me këtë, nga këqyrja e pjesshme e të dhënave të ekspertimit të telefonit celular të shtetasit Driant Zeneli, sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përveçse rezulton e provuar se është Ajola Xoxa personi që vendos për aspektin financiar të “Harabel”, konstatohet gjithashtu se një pjesë e faturave për këto kurse arti janë lëshuar fiktivisht, duke ngritur dyshime sipas organit procedues se edhe në këtë rast jemi para një skeme të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Bisedimet mes Ajola Xoxës dhe Driant Zenelit
Në datë 28.10.2020 Ora 10:59 PM, Driant Zeneli: “Shoqe me konfirmon që kursi për fëmijët kushton 80 mijë lekë në muaj? Ta fillojmë tani nëntorin siç duhet”, “Pastaj Olsi e kush do ti nuk do paguajë”, “Po të paktën të fillojmë”;
Ora 11:03 PM, Ajola Xoxa: “Do merret Adela me pagesat, pa merak fare, që mos të bësh ti biseda lekësh… Ideja është që çdo seancë kushton 1 mijë lekë të reja. Dmth 8 mijë në muaj nëse vijnë 4 herë. Pastaj kush do paguan 6 muaj bashkë”, “Olsi nuk paguan”, “As Erioni”, “As Ilda”, “Me Marisën dhe Besën unë kam folur”.
Ora 11:03 PM, Driant Zeneli: “Po po siç e kemi bisedu”, “Shume dakord”; Ora 11:03 PM, Ajola Xoxa: “Pagesat tamam te rregullta do t’i nisim ne janar”, “Po, po”. Ora 11:04 PM, Driant Zeneli: “Plus jane dy vajzat e ish Prokurores”, “Ah jo tani?”, “Se i thojn Nentor + Dhjetor”;
Ora 11:05 PM, Ajola Xoxa: “Tani do presim disa fatura gjasme per te rritur xhiron e Harabelit per 2020”;
Ora 11:05 PM, Driant Zeneli: “Ti e din”
Ora 11:06 PM, Ajola Xoxa: “Pra une Beses dhe Marises i kam thene qe do paguajne sa te duan per kete vit, por ama faturat do t’i presim sikur te kishin paguar 48’000 leke”, “Pra gjasme si per 6 muaj”, “Njesoj edhe per te tjeret”
Ora 11:06 PM, Driant Zeneli: “Super”; Ora 11:06 PM, Ajola Xoxa: “Por kjo eshte thjesht per te rritur xhiron”;
Ora 11:07 PM, Ajola Xoxa: “Ia kam shpjeguar qe ajo do presi 6 fatura nga 48’000 leke secila, por nuk dua t’i jap shume sqarime Adeles”, “Dmth ty po ta them tamam”, “Adela do presi faturat”.

Në konkluzione gjykata arrin në përfundimin se ka mungesë transparence për sa u përket deklarimeve periodike vjetore që shtetasja nën hetim, Ajola Xoxa, duhej të bënte para ILDKPI-së, në lidhje me angazhimin e saj mjaft aktiv në këtë qendër, veçanërisht angazhimin që lidhet me aspektin financiar të organizatës.
Kujtojmë këtu se vetëm nga këto kurse arti, “Harabel” ka faturuar rreth 7,000,000 lekë. Faturat, siç provohet në rastin e OJF “Frobolous”, lëshohen fiktivisht dhe të paktën në një rast ato ktheheshin përsëri mbrapsht te shtetasja Ajola Xoxa, e cila më parë i kishte dhënë lekë cash për kryerjen e tyre.
Shtetasja Ajola Xoxa ka disponuar për kalimin e fondeve nga personat fizikë te llogaria bankare e “Harabel”, në formë sponsorizimi, por që gabimisht është shkruar “likuidim fature” nga urdhërueset e xhirimit bankar. Shtetasja Ajola Xoxa ka disponuar gjithmonë para në monedhën euro, të prerjeve të mëdha, të cilat rezulton se mbaheshin për një kohë të gjatë prej saj.
Financierja Adela Kondakçiu shprehet se nuk është çuditur për shkak se Ajola i ka dhënë gjithmonë vlera në cash për të bërë pagesa të ndryshme. Shpeshherë i jepte edhe kartëmonedha prej 500 eurosh, të cilat ishin të dëmtuara, të mykura, dhe ka pasur probleme për përdorimin apo për konvertimin e tyre në lekë.
Kjo skemë tregon abuzimin e kryer nga bashkëshortja e Erion Veliajt, Ajola Xoxa, përmes kurseve të artit në qendrat që shumicën e fondeve i merrte nga Bashkia e Tiranës me firmën e Erion Veliajt. Kjo është një tjetër provë e zbardhur nga gjykata për korrupsionin e çiftit Veliaj-Xoxa./ CNA