Tiranë, 28 Tetor 2025 – Ish-Zv/Kryeministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati pas akuzave nga SPAK për korrupsion, ka bërë një deklaratë të fortë në një intervistë televizive, duke shpalosur teorinë e tij mbi arrestimin e ish-Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ahmetaj hodhi akuza direkte, duke pretenduar se urdhri për goditjen e Veliajt erdhi nga Kryeministri Edi Rama për shkak të ambicieve politike të ish-Kryebashkiakut.
“Rama, Veliajn e hoqi qafe si një nga ata që donte t’i zinte vendin. Dhe pastaj doli e qante, si ata që të vrasin dhe pastaj të qajnë,” deklaroi Ahmetaj, duke sugjeruar një lojë të dyfishtë të Kryeministrit pas hetimit të SPAK ndaj Veliajt.
Pendesa Dhe Çështja e Inceneratorëve
Duke folur për situatën e tij dhe familjes, Ahmetaj u shpreh i penduar jo për veprimet e tij kundrejt çështjeve publike, por për marrëdhënien e tij personale me Ramën.
“Ç’a nuk i kanë bëra familjes sime, e kanë shkatërruar. Nuk pendohem pse kam kundërshtuar inceneratorët. Pendohem pse kam pasur dashuri gati vëllazërore ndaj një njeriu që ka thikë në dorë për njerëzit rreth e rrethull,” përfundoi ish-zyrtari i lartë.
Kjo deklaratë ripërtërin akuzat e drejtpërdrejta kundër Kryeministrit Rama, duke e vendosur atë në qendër të një lufte për pushtet dhe ndikim brenda Partisë Socialiste, ndërsa të dy ish-aleatët e tij kryesorë, Veliaj dhe vetë Ahmetaj, përballen me drejtësinë.