SPAK del me version të ri: Kemi një ish-ministër nën hetim dhe jo një ministër! Prokuroria e Posaçme duket se është “zbythur” përballë Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Në fillim të qershorit, “Pamfleti” raportoi i pari se SPAK kishte vënë nën hetim një ministër të qeverisë “Rama”. Lajmi bazohej te të dhënat e publikuara nga SPAK në regjistrin e transparencës dhe bëhej fjalë për të dhëna të muajit prill, por që ishin publikuar në qershor.
Lajmi mori dhenë dhe u alarmuan të gjithë në PS e jo vetëm. Disa media pranë mazhorancës tentuan ta përgënjeshtrojnë duke thënë se bëhej fjalë për një ish-ministër (Arben Ahmetaj) dhe jo për ministër. Nga ana tjetër u fol për Arbjan Maznikun, i cili kishte një dosje në Prokurorinë e Tiranës për abuzime kur ishte te Bashkia e Tiranës, por që kaloi në SPAK.
Por SPAK duket se ka ndërruar qendrim. Prokuroria e Posaçme ka publikuar regjistrin e transparencës për muajt maj dhe qershor. Një qytetar ka kërkuar sërish të njëjtin informacion duke drejtuar pyetjen: “A ka ndonjë ministër ose më shumë se një ministër nën hetim? Nëse po, për çfarë vepre penale dhe a mund të thoni emrin/emrat?“.
Por përgjigjja e SPAK këtë herë ka qenë ndryshe: “Në regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale, në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton vetëm një ish-ministër nën hetim, i regjistruar me inicialet A.A. Veprat penale për të cilat akuzohet janë: Pastrim parash, fshehje e pasurisë dhe korrupsion pasiv“.
Pra duket qartë se SPAK ka ndryshuar qendrim dhe në përgjigjen e saj e ka fjalën për ish-ministrin Arben Ahmetaj. Duke konfirmuar nga ana tjetër se nuk ka asnjë ministër nën hetim.
Por këtu ngrihen disa pikëpyetje:
Pse SPAK herën e parë deklaronte se kishte një ministër nën hetim dhe tani deklaron se ka një ish-ministër nën hetim? Si ka mundësi që përgjigjja tani është e njëjtë me atë që nxorrën mediat pranë qeverisë? Mos vallë Altin Dumani u tremb pas sulmeve të Ramës apo fitores me 83 mandate në zgjedhje? Duket qartë se pas fitores së thellë të PS, SPAK e ka zbehur goditjen në luftën ndaj korrupsionit. Dhe fakti që tani e ndërroi pllakën për ministrin, tregon se prokuroria po gjunjëzohet para pushtetit.