Gjykata ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për pesë të rinj të ndaluar në lidhje me protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë.
Vendimi ka shkaktuar reagime nga përfaqësues të opozitës, të cilët e kanë cilësuar masën si të padrejtë dhe të ashpër ndaj të rinjve që, sipas tyre, kanë dalë në protestë kundër korrupsionit.
Mes personave për të cilët është caktuar kjo masë është edhe Klevi Meta, i cili, sipas deputetit demokrat Belind Këlliçi, nuk ka mundur të paraqitet në seancën gjyqësore pasi ndodhet ende në spital.
Këlliçi pretendon se i riu ka pësuar dëmtime nga ndërhyrja e forcave të policisë gjatë protestës, duke e cilësuar vendimin për arrestin në shtëpi edhe më të rëndë në këto rrethana.
Në reagimin e tij, deputeti ka bërë gjithashtu një krahasim mes masave të sigurisë të vendosura ndaj protestuesve dhe atyre të caktuara në çështje të tjera penale, duke kritikuar mënyrën se si gjykata ka trajtuar rastin.
“Për fat të keq, gjykata sot nuk shërbeu as drejtësi dhe as interesin publik, por dha një dorë në sistemin shtypës, dhunues e kriminal të Edi Ramës”, shkruan Këlliçi.
