Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas përleshjeve mes studentëve dhe policisë që kanë ndodhur në Tiranë gjatë dy ditëve të fundit.
Rama ishte në një nga ambientet e zyrës së Kolegjit të Europës, e cila u shkatërrua plotësisht gjatë tubimit të djeshme, pranë Piramidës, duke thënë se Shqipëria nuk kthehet pas dhe se ligji duhet të veprojë, përcjell Lajmishqipatar.al
Kryeministri theksoi se kjo nuk është dora e studentëve, por e opozitës së “verbër” që kërkon të kthejë pas vendin. Rama kishte edhe një ftesë për studentët, për të folur për gjërat që mund të zgjidhen.
“Studentët janë e ardhmja, shohin larg dhe duan të shkojnë më larg e më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje.
Këto janë të tjera duar. Këto janë duar që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë përpiqet të shkojë lart. Këto janë duart një opozite që me maska të verbërish para kërkojnë ta rikthejnë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë. Kërkojnë ta rikthejnë në humnerën nga ku e nxorrëm dhe ku po e ngjisim, drejt ëndrrës në breza, BE. Kolegji i Europës ndodh sot të jetë simboli.
Janë orë të vështira, por orë që do t’i kalojmë të gjithë së bashku sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet, do të vazhdojë në rrugën e saj dhe kurrë më s’do të jenë ato duar që e kanë kapur për fyti dhe e kanë zhytur thellë e më thellë opozitën shqiptare, s’do ta kapin dot Shqipërinë. përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit. Secili që ka bërë këtë katrahurë, do të paguajë sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas.
Katrahura që u kthye në verbërinë e saj, fantazma që do të përpiqet të rikthehet do të mbetet e kaluar. E ardhmja është e studentëve, e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Rama mes të tjerash.
