Erion Veliaj u arrestua ditën e sotme me urdhër të SPAK nën dyshimet se ka kryer korrupsion në bashkëpunim në 9 raste, teksa akuzohet edhe për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Burime nga Partia Socialiste thanë për Tch se nuk pritet ndonjë vendim politik nga Edi Rama, deri në daljen përpara gjykatës të Erion Veliajt në 48 orët në vazhdim, ku do të shqyrtohet masa e dhënë “arrest me burg”.
Më herët, sollëm në vëmendje rastin e ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe në korrik të vitit 2021, të cilin Rama e shkarkoi me vendim Qeverie që ditën e dytë të arrestimit të tij, por duket se nuk do të ndjekë të njëjtin standard me Veliajn.
Por si do të vijojë qeverisja e Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Veliajt?
Skenari i parë, Erion Veliaj ia delegon kompetencat e drejtimit një prej dy nënkryetarëve.
Skenari i dytë, këshilli bashkiak mblidhet dhe ia delegon drejtimin një prej dy nënkryetarëve.
Por, kjo situatë drejtimi me nënkryetar nuk vijon pafundësisht. Neni 62 i ligjit për pushtetin lokal parashikon se kur një kryetar bashkie nuk paraqitet në detyrë për tre muaj, atëherë propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak. E më pas vendimi merret prej Këshillit të Ministrave.
