Reforma territoriale po përballet me kundërshti brenda Partisë Socialiste. Pas Erion Braçes, edhe Elisa Spiropali ka dalë me kritika të forta në Kuvend, duke e quajtur draftin jo një reformë të mirëfilltë dhe duke kundërshtuar bindjen e verbër të deputetëve…
Reforma territoriale po kthehet në një provë të vështirë për mazhorancën socialiste. Pas Erion Braçes, i cili ka kundërshtuar ndryshimet dhe ka sinjalizuar votë kundër, edhe Elisa Spiropali ka dalë me një fjalim kritik nga foltorja e Kuvendit, duke shtuar pikëpyetjet mbi votat që do të sigurojë Edi Rama për miratimin e draftit.
Spiropali nuk e ka deklaruar shprehimisht votën kundër, por mesazhet e saj për reformën dhe disiplinën partiake kanë tërhequr vëmendjen, veçanërisht pas paralajmërimit të Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar se kush nuk e voton draftin, më mirë të largohet.
Nëse konfirmohet konfigurimi prej 82 deputetësh socialistë dhe tre deputetësh të Tom Doshit që mbështesin reformën, mazhoranca do të kishte 85 vota të mundshme. Në këtë skenar, dy vota kundër ose abstenime nga ky grup do ta ulnin mbështetjen në 83, poshtë pragut prej 84 votash të përmendur për miratimin e reformës.
Në këtë situatë, qëndrimi përfundimtar i Braçes dhe Spiropalit merr rëndësi të veçantë.
“Me keqardhje shumë të madhe po e marr fjalën, kur shoh se jo vetëm në këtë Parlament vazhdohet të bëhet teatër, por edhe kemi jashtë njerëz që protestojnë. Po edhe më gjerë kemi një mungesë absolute kohezioni, besimi te institucionet, te partitë politike, te ne që jemi këtu, te kontrata sociale, te shtyllat e shtetit. Së bashku kemi zhdukur çdo hapësirë normale komunikimi, besimi, mënyrë të ekzekutimit dhe të administrimit të pushtetit dhe politikës. Po e nis nga vetja, sepse besoj që secili prej nesh duhet ta nisë nga vetja”, deklaroi Spiropali.
Deputetja socialiste nuk u mjaftua me kritikat ndaj klimës politike. Ajo vuri në diskutim vetë përmbajtjen e reformës territoriale, duke argumentuar se ndryshimi i numrit të bashkive nuk përbën reformë nëse pushteti vendor nuk fiton kompetenca reale.
“Unë besoj se sot, Reforma Territoriale, nuk është një reformë. Duhet ta themi këtu hapur. Nuk diskutojmë një reformë territoriale, sepse nuk është pyetja sa bashki kemi, por sa pushtet duhet të ketë një bashki. A duhet të ketë një reformë territoriale pa një decentralizim të vërtetë? Unë mendoj se duhet të ndryshosh hartën, është e lehtë. Por a mund të ndryshojmë ne së bashku dhe të konceptojmë pushtetin? A ndihen sot qytetarët më pranë vendimmarrjeve?”, u shpreh ajo.
Spiropali ngriti gjithashtu shqetësimin për përqendrimin e pushtetit, duke kërkuar që bashkitë dhe drejtuesit e tyre të mos trajtohen si zgjatime të partisë në qeveri.
“Decentralizimi nuk është vetëm një çështje e pushtetit vendor. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi për bashkitë, duhet të diskutojmë edhe për autonominë e institucioneve. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi nga kryetarët e bashkive, duhet të kërkojmë më shumë përgjegjësi nga çdo nivel qeverisjeje. Nuk mund të flasim për shpërndarjen e pushtetit në territor, pa u folur për përqendrimin e pushtetit”, tha ajo.
Por pjesa më domethënëse e fjalimit të saj, në raport me tensionet brenda PS-së, ishte kundërshtimi i idesë se deputetët duhet të votojnë pa ngritur pikëpyetje. Spiropali kërkoi më shumë përgjegjësi individuale dhe kritikoi mënyrën se si u drejtohen ligjvënësve.

“Nuk është puna te deputetët e bindur, por te ata të përgjegjshëm. Nuk duhet të reformojmë vetëm pushtetin lokal, por dhe sistemin zgjedhor, që nuk prodhon asgjë. Me lista treçerek të mbyllura, çerek të hapura. Qytetari duhet ta dijë për kë voton. Ne s’jemi as kartona, as njerëz pa përgjegjësi. Mënyra se si ju na drejtoheni është revoltuese. Revolta jonë duhet të jetë edhe e brendshme”, deklaroi ajo.
Ajo kundërshtoi edhe retorikën për fitimin e të gjitha bashkive, duke theksuar se institucionet duhet të jenë më të forta se individët që i drejtojnë.
“Më vjen shumë keq kur dëgjoj nga kolegë të mi që flasin pa vend sot për të folur me tone të tilla. Ne do i mundnim të gjithë, do i fitojmë të gjitha bashkitë… Jo mo, jo. Nuk është normale që t’i fitosh të gjitha bashkitë. Ne duhet që institucionet tona të jenë më të forta se njerëzit që i ushtrojnë”, vijoi ajo.
Tashmë vëmendja është zhvendosur te votimi. Me një diferencë të ngushtë mes 85 votave të mundshme dhe pragut prej 84 votash, çdo deputet që vendos të mos mbështesë draftin mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar, nëse nuk sigurohen vota të tjera.
Pas Braçes dhe Spiropalit, çështja për Ramën nuk është më vetëm përmbajtja e reformës territoriale, por edhe nëse shumica parlamentare do të votojë e bashkuar. Përgjigjja do të jepet në sallën e Kuvendit.
