Një zëvendëspresidente e Bank of America është vrarë me thikë në Times Square, në New York, në një sulm që autoritetet e kanë përshkruar si të rastësishëm dhe të paprovokuar.
Ngjarja ndodhi të hënën, rreth orës 16:24 me orën lokale, pranë kryqëzimit të West 42nd Street me Seventh Avenue, në zemër të Manhattanit.
Policia e New York-ut (NYPD) identifikoi viktimën si Erin Piacenti, 32 vjeçe. Bank of America konfirmoi gjithashtu humbjen e një prej punonjëseve të saj.
Sipas profilit të saj në LinkedIn, Piacenti mbante postin e zëvendëspresidentes në njësinë Business Selection and Conflicts të Bank of America.
Komisionerja e NYPD-së, Jessica Tisch, deklaroi se nga të dhënat e deritanishme sulmi rezulton të ketë qenë i rastësishëm dhe i paprovokuar.
Sipas policisë, kur efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën 49-vjeçaren Pamela Cisneros me dy thika të mëdha në duar. Autoritetet thanë se ajo u drejtua drejt efektivëve, të cilët hapën zjarr ndaj saj.
Cisneros u qëllua nga policia dhe më pas u shpall e vdekur. Tisch bëri të ditur se 49-vjeçarja kishte një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.
Nga sulmi mbeti i plagosur edhe një burrë 68 vjeç, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Sipas NYPD-së, ai kishte pësuar plagë nga thika dhe ndodhej në gjendje të qëndrueshme.
Pas ngjarjes, disa rrugë në Midtown Manhattan u bllokuan përkohësisht, ndërsa në zonë mbërritën automjete të shumta të emergjencës. Zyra e Bank of America në Manhattan, në One Bryant Park, ndodhet në afërsi të Times Square.
Në një deklaratë të dërguar me email për Reuters të martën, Bank of America u shpreh e tronditur dhe e pikëlluar për vdekjen e punonjëses së saj.
“Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar nga humbja tragjike e koleges sonë. Ajo ishte një anëtare e çmuar e ekipit dhe do të na mungojë shumë. Zemrat tona janë me familjen e saj dhe të gjithë njerëzit e saj të dashur”, thuhet në deklaratën e bankës.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të sulmit.
