Në celularët e qindra qytetarëve mëngjesin e kësaj të enjte ka mbërritur një e-mail paralajmërues duke nxitur ankthe e panik te njerëzit, sikur disa institucione, kryesisht në sektorin shëndetësor dhe në shërbime të ndryshme, rrezikojnë të hidhe në erë nga vendosja e një lëndë eksplozive. Mirëpo, fatmirësisht alarmi ka rezultuar i rremë.
Policia e Shtetit ka reaguar menjëherë duke përgënjeshtruaar mesazhet e ndara në e-maile. Ndërsa bëjnë me dije se po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Po ashtu, raportohet se Policia e Shtetit dhe Antiterrori po vijojnë punën për identifikimin e menjëhershëm të autorit.
Policia e Shtetit
Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
