Mbrëmjen e djeshme një krim i rëndë tronditi Shkodrën, ku dy persona, Prelë Gjoni, 82 vjeç dhe djali i tij Lekë Gjoni 57 vjeç u vranë me armë zjarri, ndërsa Lazër Bashi u plagos.
Raportohet se shënjestër e atentatit ishin babë e bir, teksa Bashki u plagos pasi u ndodh rastësisht në automjet e babë e bir. Fouristrada me të cilën ata po udhëtonin u bë shoshë nga plumbat, teksa në vendngjarje u gjetën mbi 50 gëzhoja.
Sipas policisë, dyshohet se për krimin janë përdorur dy armë, një automatik kallashnikov dhe një MP5, duke konfirmuar se të paktën dy persona kanë qëlluar në drejtim të viktimave.
Dy viktimat po ktheheshin nga shtëpia e vjetër në Dukagjin drejt Shkodrës, kur ende pa dalë nga rruga e fshatit Xhan, dy shtetas të paidentifikuar qëlluan në drejtim të tyre duke lënë të vdekur babë e bir dhe duke plagosur një tjetër.
I plagosuri u dërgua në spitalin e Shkodrës dhe më pas drejt Tiranës për mjekim të specializuar ndërsa ndodhet në gjendje jashtë rrezikut për jetën. Lazër Bashi i shpëtoi mrekullisht këtij atentati ndërsa ndodhej në pjesën e pasme të fouristradës.
Sipas gazetarit të Top Channel, Klodian Zhivani, policia deri më tani po heton një divorc që Lekë Gjoni kishte pasur pak kohë më parë dhe që dyshohet se mund të jetë bërë shkak për një konflikt. Megjithatë, hetimet vijojnë për të zbuluar shkaqet dhe autorët e atentatit
