Skip to content

Ndryshon moti ne Shqiperi! Breshër, shi i rrëmbyeshëm dhe erë e fortë përfshijnë disa zona

Një stuhi e fuqishme ka përfshirë mbrëmjen e sotme juglindjen e vendit, duke sjellë reshje të dendura shiu, breshër dhe erë të fortë, kryesisht në zonën e fushës së Maliqit.

Moti i keq ka prekur disa fshatra të kësaj zone, ku reshjet kanë qenë me intensitet të lartë për rreth një orë. Për disa minuta, shiu është shoqëruar edhe me breshër të dendur, ndërsa në disa zona është regjistruar edhe erë e fortë.

Për momentin nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale të konsiderueshme, ndërsa nuk janë evidentuar probleme me furnizimin me energji elektrike në zonat e prekura.

Megjithatë, shqetësimi kryesor lidhet me pasojat që breshëri mund të ketë shkaktuar në sektorin e bujqësisë. Fusha e Maliqit është një nga zonat me aktivitet të rëndësishëm bujqësor në juglindje dhe reshjet intensive të breshërit mund të kenë dëmtuar kultura të ndryshme.

Në veçanti, mbetet për t’u verifikuar gjendja e kulturave prashitëse dhe e drufrutorëve, të cilët gjatë kësaj periudhe ndodhen në faza të rëndësishme të prodhimit dhe mund të jenë më të ekspozuar ndaj dëmtimeve nga breshëri dhe era e fortë.

Autoritetet lokale dhe fermerët pritet të bëjnë verifikimet në terren gjatë orëve në vijim për të përcaktuar nëse stuhia ka shkaktuar dëme në sipërfaqet bujqësore dhe sa është shkalla e tyre.

Deri tani situata paraqitet e qetë sa i përket infrastrukturës dhe furnizimit me energji, ndërsa priten të dhëna të mëtejshme nga zonat e prekura pas përfundimit të stuhisë.

Published inLajme