Sokrat Vata, autori i dyshuar i vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil, dha versionin e tij të ngjarjes përpara grupit hetues, duke rindërtuar të gjithë dinamikën e krimit.
Ai shpjegoi për hetuesit se sherri nisi fillimisht mes turistëve, të cilët ishin nën efektin e alkoolit dhe atyre iu kërkua të mbanin qetësi, pasi në lokal kishte dhe klientë të tjerë.
Mes turistëve, sipas tij, nisi përplasja fizike dhe situata u bë kaotike dhe ishte e pamundur që të vihej qetësia. Lidhur me momentin që goditi për vdekje me thikë 20-vjeçarin portugez, Vata ka theksuar se thikën e kishte viktima dhe jo ai. “U përlesha me të. Ia mora thikën nga dora dhe e godita”, theksoi Vata. Pas krimit, atë e ndihmoi një prej kolegëve që të largohej me makinë dhe më pas dy shtetasit turq, ku u arrestua në bagazhin e makinës së tyre në Levan të Fierit.
Policia sekuestroi kamerat e sigurisë, për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe mori dëshmitë e personave të përfshirë. Në pamjet filmike janë të qarta vetëm momentet e para të sherrit, por më pas, për shkak të situatës kaotike, nuk dallohet qartë çfarë ka ndodhur.
Momenti i goditjes me thikë të turistit nuk është filmuar nga kamerat për shkak të distancës së largët dhe errësirës.
Lidhur me vrasjen e portugezit Luis Miguel Varela Mendez, policia ka arrestuar 11 persona, një punonjës policie, një polic burgjesh dhe një polic bashkiak, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre dhe Bekim Bulica, pronari de facto i lokalit “Principotes”.
Ngjarja sipas policisë
Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez Luis Miguel Varela Mendez, 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi David Heurteven, tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, kamerierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi Sokrat Vata.
Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit Miosid Matushaj, punonjës policie, Luciano Seferi, polic në burgun e Fierit, Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër dhe Kristi Koshi, të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, Bekim Bulica, i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar krimin. Bulica është shpallur në kërkim. Po ashtu janë arrestuar dhe dy shtetasit turq Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, pasi ndihmuan Vatën në tentativën për t’u arratisur. “Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja Ezgi Perlak, 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës”, njoftoi policia.
Të arrestuar:
Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, autor i dyshuar i vrasjes
Nuh Mahmutoglu, shtetas turk, dyshohet se ndihmoi Vatën në tentativën për arratisje
Ezgi Perlak, shtetase turke, dyshohet se ndihmoi Vatën në tentativën për arratisje
Serxhi Selimi, kamerier në lokal
Ervis Bunci, kamerier në lokal
Ildi Cekani, kamerier në lokal
Murat Zhabina, kamerier në lokal
Miosid Matushaj, oficer i Policisë në Gjirokastër, dyshohet se largoi autorin e dyshuar nga ngjarja
Luciane Seferi, punonjës i policisë në burgun e Fierit
Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër
Kristi Koshi, i arrestuar; funksioni apo vendi i tij i punës nuk dihet
Në kërkim:
David Heurtevent, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasje
Bekim Bulica – pronar i lokalit, dyshuar për moskallëzim krimi
