Publikohen fotot e 42-vjeçarit shqiptar Elvis Metvelajt, i arrestuar dhe dyshuar nga autoritetet italiane si autor i vdekjes së 46-vjeçares Ornella Forastefano në Kalabri.
Sipas mediave italiane, Metvelaj ishte partneri i viktimës dhe u ndalua në portin e Barit, ku dyshohet se po përgatitej të udhëtonte drejt Shqipërisë.
Forastefano u gjet gjatë natës jashtë urgjencës së spitalit në Trebisacce, me dëmtime të rënda në trup. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 46-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte. Gjendja në të cilën u gjet ka ngritur dyshimet se ajo ishte dhunuar përpara se të dërgohej në spital.
Hetimet u përqendruan te Metvelaj, i cili ishte larguar dhe nuk ndodhej në banesë. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar rolin e tij dhe për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Sipas raportimeve, çifti jetonte së bashku prej rreth një viti, ndërsa marrëdhënia e tyre nuk ishte pranuar nga familjarët e 46-vjeçares.
Mediat italiane raportojnë gjithashtu se Metvelaj ishte i njohur më parë për autoritetet dhe ishte arrestuar në vitin 2020 në kuadër të një hetimi për trafik droge.
Prokuroria e Castrovillarit po drejton hetimet. Rezultatet e ekzaminimeve mjeko-ligjore, pamjet e kamerave të sigurisë dhe komunikimet telefonike pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe sqarimin e rrethanave.
Ornella Forastefano menaxhonte një bar në qendër të Trebisacces së bashku me dy fëmijët e saj.
