Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që u shënua këtë të shtunë në Elbasan, ku 52-vjeçari Poli Boriçi tentoi të vriste me pistoletë Mir Bitocin në një lokal në Elbasan, por, për fat të mirë, arma e zjarrit u bllokua dhe nuk u shkrep.
Në një video në rrjetet sociale, Fevziu shpreh habinë se si një person që po pi kafe me gruan e tij çohet dhe tenton të vrasë me armë një person tjetër, i cili nuk e ka ngacmuar.
Po ashtu, gazetari deklaron se ajo që po ndodh në vendin tonë është e frikshme, teksa thekson se një person shpëtoi rastësisht pasi pistoleta e personit tjetër u bllokua.
Fevziu: I ka shpëtuar vrasjes për qime. Ka dalë nga lokali dhe një person që pinte kafe me gruan e tij është çuar, ka nxjerrë pistoletën nga marsupi ndërsa pinte kafe, i ka shkuar pak kokës dhe ka dashur ta qëllojë, por pistoleta është bllokuar, thotë policia.
Kjo ka qenë ngjarja që po shihni në video në Elbasan, një ngjarje e frikshme. Një person që pi kafe me gruan e tij sheh një person tjetër dhe nxjerr pistoletën për ta vrarë dhe, për fat, pistoleta nuk shkrepet. Kjo është e tmerrshme. Po si mund të shkojë një njeri për të pirë kafe me gruan në lokal me pistoletë në brez?
Si mund të ngrihet në kulmin e qetësisë, pasi një person që nuk po e ruante dhe gjurmonte, dhe të nxjerrë pistoletën për ta vrarë? Është e frikshme kjo që ndodh në Shqipëri dhe unë nuk di se çfarë emri t’i vë. Një person shpëtoi rastësisht pasi pistoleta iu bllokua personit tjetër.
