Një tjetër ish-ministër i kabinetit Rama ka dalë kundër këtij të fundit. Kësaj here bëhet fjalë për ish-ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili në një intervistë për gazetaren Valentina Madani ka pozicionuar veten në krah të protestuesve, që mbrëmjen e kësaj të hëne po zhvillojnë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” protestën e tyre të 72-të.
Lleshaj i konsideron protestat një zhvillim të rëndësishëm për demokracinë në vend, duke argumentuar se qytetarët po rikthehen në rrugë për të shprehur pakënaqësinë ndaj një sistemi politik që, sipas tij ka humbur prej kohësh funksionin e përfaqësimit.
Në këtë qëndrim të tij, ish-ministri nuk ka kursyer kritikat ndaj klasës politike shqiptare, ndërsa ka dhënë edhe një mesazh të tërthortë për kryeministrin Edi Rama. Edhe pse pranon se komunikimi mes tyre është zbehur me kalimin e kohës, Lleshaj e sheh dorëheqjen e një kryeministri jo si një akt dramatik, por si një vendim që duhet marrë kur rrethanat politike e bëjnë të nevojshëm.
Duke iu referuar edhe eksperiencës së tij personale, kur në vitin 2020 u largua nga posti i ministrit të Brendshëm, Lleshaj shprehet se me kalimin e viteve është bindur gjithnjë e më shumë se ai vendim ka qenë një “bekim” për të.
“Sikur të kisha komunikim me Kryeministrin dhe vullnetin e tij për një këshillë, mbase do t’ia kisha dhënë, por koha e ka sjellë edhe shuarjen e këtij komunikimi. Ndaj, në këto kushte, mendoj se mua më takon vetëm heshtja etike dhe profesionale që lidhet me marrëdhënien e dikurshme politike me Kryeministrin. Personalisht mendoj se dorëheqja nuk është ndonjë dramë, por një lloj bekimi që njeriu përjeton në momentin kur koha është pjekur për të.
Unë vetë e kam përjetuar këtë bekim në vitin 2020, kur hoqa dorë nga posti i ministrit të Brendshëm për arsye se njëri ndër mijëra punonjësit e policisë bëri një krim në mesnatë gjatë shërbimit të tij në patrullë. Dhe çdo ditë që ka kaluar që atëherë vetëm sa më ka shtuar bindjen se ai vendim ishte edhe një bekim. Protestuesit kërkojnë ndryshimin e sistemit, largimin e klasës së vjetër politike dhe një Shqipëri të re e cila duhet të drejtohet nga të rinjtë…”, tha Lleshaj.
Pjesë nga intervista:
Z.Lleshaj! Si e vlerësoni valën e protestave qytetare me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama? Çfarë i zgjoi shqiptarët këtë herë?
Protestat kanë sjellë një dinamikë të re dhe të nevojshme në jetën e vendit, pas një periudhe relativisht të gjatë letargjie politike dhe shoqërore. Jehona e gjerë ndërkombëtare është shprehje e magnitudës së tyre. Ndryshe nga bota demokratike, Shqipëria e këtyre viteve paradoksalisht ka parë protesta të partive parlamentare në rrugë dhe rol krejt periferik të tyre në Kuvend. Në fakt parlamenti është forumi i partive politike dhe rruga u takon qytetarëve që nuk ndihen të përfaqësuar në Kuvend. Kësaj radhe po përjetojmë një zhvillim normal. Qytetarët janë në rrugë, ku tashmë duket se nuk ka vend për politikanët që paguhen nga taksat e qytetarëve. Ndërsa këta të fundit, politikanët, nuk dihet më se ku janë.
A mendoni se Edi Rama duhet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje politike?
Sikur të kisha komunikim me Kryeministrin dhe vullnetin e tij për një këshillë, mbase do t’ia kisha dhënë, por koha e ka sjellë edhe shuarjen e këtij komunikimi. Ndaj, në këto kushte, mendoj se mua më takon vetëm heshtja etike dhe profesionale që lidhet me marrëdhënien e dikurshme politike me Kryeministrin. Personalisht mendoj se dorëheqja nuk është ndonjë dramë, por një lloj bekimi që njeriu përjeton në momentin kur koha është pjekur për të. Unë vetë e kam përjetuar këtë bekim në vitin 2020, kur hoqa dorë nga posti i ministrit të Brendshëm për arsye se njëri ndër mijëra punonjësit e policisë bëri një krim në mesnatë gjatë shërbimit të tij në patrullë. Dhe çdo ditë që ka kaluar që atëherë vetëm sa më ka shtuar bindjen se ai vendim ishte edhe një bekim.
Protestuesit kërkojnë ndryshimin e sistemit, largimin e klasës së vjetër politike dhe një Shqipëri të re e cila duhet të drejtohet nga të rinjtë…
Protestat kanë evidentuar një problem themelor të Shqipërisë që është ezaurimi total i klasës politike të trashëguar nga Partia e Punës së Shqipërisë në trajtën e partive bija që ajo krijoi në muzgun e jetës së saj. Në të vërtetë sot ky është problem i parë dhe i fundit me të cilin duhet të merret Shqipëria. Por në vend që të përqëndrohej në këtë çështje, protesta është zgjeruar në tematikë dhe në propozime që arrijnë deri në nivelin e kakofonisë. Përpara ligjit për investimet strategjike, për zonat e mbrojtura, për zgjedhjet e shumë të tjera si këto, Shqipëria ka nevojë të ndryshojë sistemin politik që i ka sjellë gjithë anomalitë e këtyre dekadave.
Protesta duket se po ndjek paralelisht shumë qëllime dhe dihet se çfarë arrin ai që qëllon me një gur kundër dy zogjëve. Sipas legjislaciont të krijuar përgjatë tri dekadave, Shqipëria është de jure dhe de facto peng i partive politike, apo edhe më keq: peng i kryetarëve që kanë të drejtë me ligj të përcaktojnë personalisht listat e kandidatëve për të cilët duhet të votojë më kot populli shqiptar. Kjo gjë ka sjellë realitetin e trishtë që Kuvendi i Shqipërisë të mbushet me persona të emëruar nga kryetarët e partive parlamentare. Kjo gjendje është më shumë se alarmante. Pa u mbrojtur parlamenti si tempull i demokracisë nuk mund të mbrohet asgjë, as lagunat si “tempull” i flamingove, as pasuritë natyrore, as pronat publike.
Nëse protesta do të mund të sillte ndonjë dobi të vërtetë publike, ky do të ishte kontributi për të imponuar një ligj të ri për partitë politike, me qëllim që atyre t’u hiqet ekskluziviteti i përfaqësimit si dhe t’u përcaktohen standardet ligjore për zgjedhjen demokratike të kryetarëve të tyre, të forumeve, si dhe mbi të gjitha, të të gjithë kandidatëve që këto parti paraqesin në zgjedhje, ashtu si në Europën që synojmë. Për sa kohë që qytetarët shqiptarë nuk ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, pa qënë të varur për këtë nga vullneti i kryetarëve të partive politike, demokracia në Shqipëri do të vijojë të jetë thjesht një term propagande. Ndërsa sa i përket “pushtetit të të rinjëve” do të thoja se kjo është një klishe që, aq sa e bukur tingëllon, aq e rrezikshme është. Është njësoj si ajo klisheja për gratë e pakorruptueshme.
Është e padiskutueshme që të rinjtë kanë të drejtë dhe detyrë të marrin pjesë dhe të ushtrojnë përgjegjësi për ndërtimin e të ardhmes së vendit që është e ardhmja e tyre. Por në këtë çështje nuk mund të legjitimohet asnjë lloj diskriminimi moshor. Këtu nuk shtrohet çështja e largimit të të vjetërve për të ardhur të rinjtë. Në punët e shtetit dhe ato private njerëzit angazhohen në përputhje me kapacitetet dhe aftësitë e tyre. Dituria dhe eksperienca e “të vjetërve” nuk mund të përjashtohen për t’i hapur rrugë thjesht e vetëm energjisë së “të rinjve”. Këto cilësi duhet të kombinohen për të synuar më të mirën. Prapa sloganeve për promovimin e të “rinjvë” dhe të “grave”, përgjon përherë kurthi i keqpërdorimit të tyre, në ato raste kur pikërisht mungesa e kualifikimit dhe e përvojës kthehet në pikën e dobët prej nga fillon dështimi dhe korrupsioni.
A thua ende nuk po e kuptojmë se eksperimentet tona në këtë fushë na kanë bërë me turp në tryezat ndërkombëtare, kur jo në pak raste, zyrtarë të rinj, maksimalisht të kuruar në dukje, por pa kurrëfarë dije dhe eksperiencë kanë lënë nam të paskaj përballë zyrtarëve ndërkombëtarë të regjur me punët e shtetit? A thua ende nuk e kemi kuptuar se në dështimet e shumta të këtyre dekadave është edhe vula e shumë të rinjëve që u promovuan vetëm si të tillë dhe dështuan pikërisht prej kësaj. A vërtet nuk e dijmë se Shqipëria ka në parlament dhe në të gjitha zyrat e shtetit jashtzakonisht shumë të rinj, krahasuar me vendet e tjera, por as kjo gjë nuk e ka ndihmuar. Të rinjve u duhet krijuar çdo hapësirë dhe mundësi që të shpalosin talentin dhe energjinë e tyre. Por katapultimi i tyre në poste që normalisht u përkasin atyre që kanë eksperiencë është i dëmshëm për të gjithë. Mbase do të ishte mirë të kuptonim domethënien e termit “senior” në anglisht, term i cili përdoret për të definuar shumë poste të larta në ekonomi, në administratë dhe në politikë.
