Fshati Vidhishtë i Roskovecit është zgjuar sot i heshtur, mes dhimbjes dhe lotëve për dy banorë që humbën jetën tragjikisht një ditë më parë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga ish-dhëndri apo ish-partneri i vajzës së tyre.
Arben Plaka ndërroi jetë në shtëpinë e tij, në orët e para të mëngjesit të së premtes kur u qëllua me armë zjarri nga Nertil Buzi, ndërsa bashkëshortja e tij Burbuqe Plaka (e thërrisnin dhe Lela) mbeti e plagosur rëndë.
Ajo luftoi për më shumë se 12 orë në spital, por fatkeqësisht në orët e mbrëmjes mjekët konfirmuan vdekjen.
Nertil Buzi alias Refit Buzi mori peng edhe vajzën e tyre, Rozalindën me të cilën kishte qenë në një marrëdhënie të trazuar, por e liroi rreth pasdites falë negociatave të Policisë.
RENEA tentoi për disa orë ta mbante gjallë dhe të negocionte dorëzimin e 35 vjeçarit, por ai vazhdimisht qante dhe kërcënonte se do të vriste veten.
Rreth orës 16:30, disa negociata të njëpasnjëshme dështuan dhe Nertil Buzi vrau veten.
