Ky është momenti i vrasjes së 55-vjeçares, Bardhe Ziçi, paraditen e së enjtes në Shkodër, nga bashkëshorti i saj tashmë i arrestuar. Tv Klan ka siguruar pamjet ekskluzive, të fiksuara nga një kamerë sigurie pranë vendit të ngjarjes, ku siç mund të shihet viktima është qëlluar dy herë.
Në video dëgjohet e shtëna e parë, e më pas duket viktima teksa mundohet të largohet, derisa qëllohet sërish duke humbur jetën në vend, në derë të shtëpisë. Referuar pamjeve filmike dhe verifikimeve në vendngjarje, burime bëjnë me dije se mes çiftit ka pasur një debat për motive xhelozie.
Pas këtij momenti, Sh. Ziçi futet në banesën e tij dhe merr armën e gjahut, siç mund të shihet edhe në foto. Më pas ai i futet një dyqani pranë banesës, ku po qëndronte viktima, dhe e ka qëlluar.
55-vjeçarja, e plagosur, në tentativë për t’u larguar, ka përshkruar disa metra derisa e ka qëlluar sërish duke e lënë të vdekur në vend. Çifti kishte dy fëmijë nga martesa e tyre: një djalë që jeton në Kanada dhe një vajzë që punon si oficere në Forcat e Armatosura.
