Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, zhvilloi ditën e sotme një konferencë për mediat. Demo foli lidhur me organizimin e strukturave vendore për përballjen me zjarret.
Ministri u shpreh se ka një organizim dhe një rritje të kapaciteteve për ndërhyrje nga ajri. Po ashtu, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar në raport me mjedisin, pasi tha se incidente të vogla kanë sjellë pasoja të mëdha.
Ndër të tjera, qeveria do të dalë me një paketë mbështetëse për ata që janë në vijën e parë të përballjes me flakët. Demo njoftoi se bonusi i zjarrfikësve, i cili zakonisht jepet në fund të sezonit të përballjes me zjarret, do të shpërndahet brenda muajit korrik.
“Jemi duke punuar për të pasur organizimin e duhur sa i përket sezonit të zjarreve. Ministria e Pushtetit Vendor do të ketë rol koordinues sa u përket këtyre situatave.
Ka një organizim dhe rritje të kapaciteteve për ndërhyrje nga ajri. Gjatë kësaj periudhe, çdo qytetar duhet të tregojë kujdes në marrëdhënien me mjedisin. Jemi të fokusuar te ndërveprimi mes institucioneve dhe shtimi i kapaciteteve, por këtë vit do të dalim edhe me një paketë mbështetëse për ata që janë në vijën e parë të përballjes me flakët.
Bonusi që zakonisht u jepet zjarrfikësve në fund të sezonit, do të propozohet nga qeveria që të shpërndahet brenda muajit korrik”, tha Demo.
