Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh nga diaspora kanë mbërritur këtë të shtunë në Tiranë për t’iu bashkuar protestës së paralajmëruar kundër kryeministrit Edi Rama dhe kastës politike.
Kolona e gjatë automjetesh në hyrje të Tiranës, ka krijuar paralizim të trafikut. Ata brohorasin “Rama në burg, Berisha në burg”.

Njëri prej koordinatorëve të protestës deklaroi se pjesëmarrësit kanë udhëtuar drejt Shqipërisë nga disa vende europiane. Sipas tij, një pjesë kanë hyrë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Muriqanit, ndërsa të tjerë kanë mbërritur përmes Igumenicës.
Organizatorët thanë se mes pjesëmarrësve ka shqiptarë që vijnë nga Zvicra, Italia, Greqia, Belgjika, Franca, Austria, Britania e Madhe dhe Gjermania. Ata shtuan se shumë prej tyre kanë udhëtuar për rreth dy ditë për të qenë të pranishëm në protestë.
Sipas koordinatorit, mobilizimi synon të bashkojë zërin e diasporës në mbështetje të protestës, duke theksuar se tubimi do të ketë karakter politik.
Protesta është paralajmëruar si mbarëkombëtare, ndërsa një numër i madh pjesëtarësh të diasporës pritet t’i bashkohen revoltës që vijon prej 35 ditësh.
Tubimi i protestuesve do të nisë në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Plani befasues eshte qe maxhoranca e disapores para Kryeministrise do të paraqese kërkesat e tyre.
Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mbetet kërkesa kryesore e protestës. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kësaj kërkese, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht.
