Pas përplasjes me zyrtarin Iranin pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama duket se ka hapur një tjetër front lufte kësaj radhe me Rusinë, pas akuzave se dy vendet fshihen pas protestave anti-qeveritare.
Që nga nisja e protestave, Rama është munduar që ta shesë protestën si produkt i financimeve dashakeqe nga vendet jo mike. Deklarata të ndryshme për financues të ndryshëm bëhen çdo ditë nga kryeministri, ministra dhe deputetë të mazhorancës.
Ditën e djeshme ministri i Turizmit Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhaj dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaruan se protestat kundër qeverisë, përveç Iranit dhe vendeve fqinje, po financohen edhe nga Rusia.
Lidhur me këto deklarata ka reaguar Ambasada Ruse në Tiranë, e cila ka mohuar përfshirjen e Kremlinit në këto demonstrata, duke shtuar se Rusia zbaton me rreptësi parimin themelor të politikës së jashtme, për mosndërhyrjen në punët e brendshme të shteteve të huaja.
Më tej thuhet se kjo nuk është hera e parë që qeveri shqiptare tenton të ngrejë një narrativë, sipas tyre, të pabazë për ndikim dashakeq të Rusisë. Në fund Ambasada Ruse në Tiranë kërkon përmbajtje në deklarata nga ana e politikanëve shqiptarë.
“Koment i Ambasadës sё Rusisё në Shqipëri në lidhje me deklaratat antiruse nga zyrtarët shqiptarë mё 2 korrik 2026 Deklaratat e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë B.Gonxhja dhe Deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë T.Balla në lidhje me “përfshirjen e Kremlinit” në protestat, që po zhvillohen në vend, ngjallin habi. Pretendime të ngjashme po shohim edhe në një numër mediash nga gazetarë të caktuar. Këto deklarata janë krejtësisht të pabaza.
Rusia zbaton me rreptësi njërin prej parimeve themelore të politikës së saj të jashtme: parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të huaja. Moska gjithmonë respekton zgjedhjen e popullit dhe punon me qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime. Ne i urojmë sukses dhe begati popullit shqiptar, pavarësisht koniunkturës së krijuar politike dhe nivelit aktual të marrëdhënieve.
