Skip to content

Luan Rama ‘masakron’ Edi Ramën, akuzon kryeministrin me detaje tronditese te pathena me pare!

Gazetari dhe ish-deputeti, Luan Rama ka reaguar për debatin e krijuar rreth Dritan Goxhajt dhe pretendimeve se ai ka qenë luftëtar me pagesë në radhët e UÇK-së. Në një analizë të publikuar në rrjetet sociale, Rama e cilëson këtë narrativë një “marrëzi” dhe argumenton se përdorimi i saj në debatin politik nga kryeministri dhe vartësit e tij jo vetëm që dëmton protestën qytetare, por edhe rrezikon të legjitimojë propagandën e vjetër serbe, e cila përpiqej ta paraqiste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një forcë mercenarësh. Sipas tij, historia e UÇK-së nuk duhet të përdoret si armë në përplasjet e politikës së ditës.

Analiza e plotë e Luan Ramës

Gjetja apo sajimi, e më pas edhe përdorimi publik i një kinse “shkrese me emra luftëtarësh të paguar të UÇK-së” për të “provuar” se protestuesi “që i shërben Iranit”, Dritan Goxhaj, paska qenë “komandant” me pagesë në ushtrinë që luftoi për çlirimin e Kosovës, është fund e krye një marrëzi. Dhe, ç’është më e keqja, në dallgët e kësaj marrëzie publike ka rënë edhe vetë Kryeministri i Shqipërisë, me gjasë pa e ditur se, duke u kapur pas këtij “argumenti”, i ka dhënë edhe ai zërin e vet tezës serbe se “në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka pasur mercenarë të dërguar nga Shqipëria”!

Related article  Pasi braktisi PS, Marjana Koçeku pendohet për mbështetjen që i dha aksionit në Theth

Para, gjatë dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës, propaganda serbe, që në atë kohë kishte në krye e përkrah Millosheviqit vetë atë që është sot Presidenti i Serbisë, theksonte me të madhe se “në radhët e UÇK-së ka mercenarë të paguar nga Shqipëria dhe nga vende të tjera myslimane”. Synimi i tyre ishte i qartë: jo vetëm të delegjitimonin luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së, por ta paraqisnin atë në sytë e botës si një luftë mercenarësh të paguar, të organizuar nga Shqipëria, si një luftë të financuar me paratë e krimit të organizuar, të trafikut të drogës dhe të grupeve terroriste të fundamentalistëve islamë.

“Shkresa”, e shërbyer me zell të lig për të demaskuar Dritan Goxhajn dhe, përmes tij, edhe për të bërë pis protestën qytetare, që prej gati një muaji është bërë makthi i qeverisë, si edhe përdorimi i disa zërave që flasin shqip, në Tiranë apo të ardhur nga Prishtina, për të na thënë se Dritan Goxhaj “nuk ka qenë luftëtar, por mercenar nga Shqipëria, i paguar në UÇK”, është gjetja më idiote, për ta mbajtur në këtë rast në një regjistër më të ulët përcaktimi, pa dashur ta shkoj më tej.

Related article  Demi Moore discusses family moments involving Bruce Willis

Naiviteti idiot, i yshtur nga dalldia se ja, e gjetëm më në fund faktin që na duhej për të thënë se në krye të protestës qenka një i paguar nga UÇK-ja, i ka çuar të gjithë ata që, pas Kryeministrit e bashkë me të, e përdorën këtë “fakt” si argument, në një pozitë mjerane dhe qesharake. Për opinionin publik dhe për qytetarët në protestë nuk ka asnjë rëndësi nëse Dritan Goxhaj, i akuzuar si “i paguar”, ka qenë apo jo në radhët e UÇK-së.

Nuk ka asnjë rëndësi nëse ka luftuar apo jo me armë në dorë, me apo pa uniformën e UÇK-së, apo nëse është paguar apo jo me paratë e saj. E rëndësishme është që Kryeministri i Shqipërisë dhe qeveria e tij të kuptojnë, një orë e më parë, motivet e vërteta se përse qytetarët janë ngritur në protestë, se përse qytetarët nuk mund të pranojnë më arrogancën dhe injorancën e pushtetit, korrupsionin dhe bashkëpunimin me grupet kriminale, që paratë e drogës i shndërrojnë në kulla e resorte turistike, pa pyetur për ligjin, për pronën private apo publike, pa pyetur për interesin qytetar apo interesat e vendit.

Related article  Paris Jackson Breaks Her Silence on the Mysterious Upper Floors of Neverland Ranch

Pastaj, nëse një si Dritan Goxhaj apo edhe të tjerë si ai janë në atë protestë sepse u shërbejnë interesave të Iranit, të Serbisë apo të kujtdo tjetër, Kryeministri, më parë se të na i thotë këto në Facebook apo përmes të ndërsyerve të tij kokëboshë, le të kërkojë nga organet e zbatimit të ligjit të bëjnë detyrën. Shteti nuk drejtohet me “më thanë” e “të thashë”, me “ishte” apo “nuk ishte”, por vetëm duke zbatuar ligjin.

Dritan Goxhaj nuk është deputet, nuk është as ministër apo zëvendëskryeministër, që të duhen votat e deputetëve të Kuvendit për ta arrestuar dhe për ta çuar para drejtësisë, nëse realisht ka prova se ai po i shërben Iranit. Ngutja për të gjetur “prova” me çdo kusht, vend e pavend, dhe verbëria për t’i përdorur ato sipas logjikës “të dalë ku të dalë”, të çojnë vetëm në marrëzi. Përkundër të gjithave, historia e UÇK-së meriton nderim, jo përdorim si armë në përplasjet e politikës së ditës dhe as në retorikën e Kryeministrit dhe të tijve kundër protestës.”

Published inNEWS