Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar llogaritë bankare të kompanive të lidhura me projektin e Zvërnecit. Sekuestro është vendosur me urdhër të prokurorit Altin Dumani.
Ende nuk dihet se sa është shuma e sekuestruar dhe në cilat kompani. Por pak ditë më parë, vëllezërit Khayyat kanë transferuar në Bankën Kombëtare Tregtare 195 milionë dollarë, para të cilat do të përdoreshin për të paguar blerjen e tokave dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e resortit.
Investitorët nga Katari, ortakë të Jared Kushner, kanë hapur dy kompani në Shqipëri për projektin e Zvërnecit. Fillimisht duke hapiur në Shqipëri degën e kompanisë së tyre Urbacon Trading and Contracting, një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit në botën arabe dhe më vonë përmes themelimit të kompanisë Sazan Operations Holding.
Kjo e fundit, ndonëse mban emrin e Sazanit do të jetë e angazhuar në projektin e Zvërnecit.
Eshtë akoma e paqartë se me cfarë motivacioni janë bllokuar paratë, pasi vëllezërit Khayyat janë ndër familjet më të pasura në Katar dhe zotërojnë një perandori disa miliarda dollarëshe. Por me sa duket bllokimi i financimeve është një masë preventive për të mos lejuar transaksionet e pronave në kuadër të hetimeve që SPAK është duke kryer mbi këtë projekt. Ndërkohë burime bëjnë të ditur se çështja e Zvërnecit ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme prej më shumë se një viti.
Tashmë projekti i Zvërnecit ka marrë një goditje jo të vogël, ndërkohë që mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi i investitorëve nga Katari dhe veçanërisht i Jared Kushner. Përballë një situate të ngjashme në Serbi, familja Kushner u tërhoq nga projekti për ndërtimin e një hoteli lluksoz menjëherë sapo prokuroria serbe hapi hetim për çështjen.
Situata në Zvërnec është përshkallëzuar në protesta masive gjatë dy ditëve të fundit, ndërkohë që qeveria akuzon se këto protesta po nxiten edhe nga faktorë të jashtëm, veçanërisht Greqia, të cilët nuk duan që Shqipëria të tërheqë investime të këtyre përmasave./ Kapitali.al
