Kreu i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, është paraqitur sërish këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku qëndroi për rreth 50 minuta.
Pas daljes, Doshi u përball me pyetjet e gazetarëve, të cilëve iu përgjigj shkurt: “S’ka lidhje me mua.”
Kur u pyet më tej për arsyen e thirrjes, ai përdori një shprehje ironike, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj:
“Ashtu siç ka thënë edhe Veliaj, ndonjëherë koleget të thërrasin edhe për çështje që nuk kanë lidhje me ty.”
Ky është takimi i dytë i Doshit me hetuesit e SPAK. Herën e parë ai është paraqitur më 24 shkurt të këtij viti, ku u mor në pyetje për rreth 90 minuta në lidhje me hetimet mbi zgjedhjet lokale të vitit 2023 në Rrogozhinë.
Sipas vetë Doshit, një nga personat që ai kishte takuar gjatë fushatës elektorale në Rrogozhinë ndodhej në përgjim nga organet e drejtësisë, gjë që ka bërë që emri i tij të përmendet në dosje.
I pyetur sërish sot nëse kjo thirrje kishte lidhje me hetimin ndaj kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, Doshi nuk e mohoi, duke konfirmuar se bëhet fjalë për të njëjtën çështje.
SPAK vijon hetimet për dyshime të lidhura me ndikimin në procesin zgjedhor të vitit 2023 në Rrogozhinë, ku janë përfshirë disa figura politike lokale dhe persona të afërt me strukturat elektorale të partive.
