Një nga zërat më të njohur të politikës shqiptare, ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar me dhimbje për ndarjen nga jeta të studiuesit, analistit dhe mikut të vjetër të shqiptarëve, Janusz Bugajski.
Në një mesazh të gjatë ngushëllimi, Berisha e përshkroi ndarjen e Bugajskit si një humbje të madhe jo vetëm për komunitetin akademik ndërkombëtar, por edhe për kombin shqiptar, të cilin ai e kishte mbrojtur me pasion dhe bindje të thellë për dekada me radhë.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për Janusz Bugajskin. Miq, shqiptarët humbën një mik, një avokat të shquar — Janusz Bugajski, gazetari, analisti, politologu, akademiku dhe strategjisti i mirënjohur, por edhe antikomunisti i vendosur polako-amerikan, mbylli sytë përgjithmonë,” – shkruan Berisha.
Ish-kryeministri kujtoi me emocion takimin e tyre të parë në Washington në vitin 1992, në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, kur Bugajski drejtonte Programin e Demokracive të Reja pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), e cila në atë kohë udhëhiqej nga një prej figurave më të rëndësishme të diplomacisë amerikane, Zbigniew Brzezinski.
“I ftuar nga kjo Qendër, unë paraqita zhvillimet në Shqipëri. Më pas, ndër vite, jam takuar disa herë me të dhe kam qenë i ftuar në emisionin e tij të njohur ‘Ora e Bugajskit’,” – shkruan Berisha.
Në mesazhin e tij, ai e përshkruan Bugajskin si një njohës të thellë të çështjes shqiptare, një mik të rrallë dhe një avokat të së vërtetës së kombit tonë në arenën ndërkombëtare për më shumë se 30 vjet.
“Ai ishte një mik fisnik, tejet i çmuar, një avokat ndër më të shquarit të të vërtetave të kombit tonë në 30 vitet e fundit,” – thekson Berisha.
Në fund të mesazhit, ish-kryeministri shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Bugajskit dhe lutet për shpirtin e tij:
“Me këtë rast të trishtë, i shpreh familjes së tij të nderuar ngushëllimet më të ndjera dhe i lutem Zotit që shpirti i mirë i mikut tonë të paharruar, Janusz Bugajski, të gjejë paqen e merituar. Amin.”
Janusz Bugajski, një nga analistët më me ndikim të Ballkanit në qarqet amerikane, ka qenë për vite me radhë një zë i fortë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, veçanërisht në lidhje me pavarësinë e Kosovës, demokracinë në Shqipëri dhe rolin e SHBA-së në rajon.
Vdekja e tij ka lënë pas një boshllëk të madh në botën akademike dhe diplomatike, si dhe në zemrat e atyre që e njihnin si një mikun më të sinqertë të kombit shqiptar.

